Sociale 1 November 2026, 12:55 Nga VNA

Bënë shqiponjën me duar në Mal të Zi, katër nxënës nga Durrësi kalojnë natën në polici. Asnjë reagim nga Ministria e Jashtme në Tiranë 

Ndaje në Whatsapp
Bënë shqiponjën me duar në Mal të Zi, katër

Katër nxënës të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës kanë kaluar natën në ambientet e policisë në Kotorr të Malit të Zi, pasi bënë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare. Të rinjtë, të cilët ndodheshin në një ekskursion shkollor, u ndaluan pas kallëzimit të një gruaje të moshuar malazeze, ndërsa këtë të diel dolën para gjykatës, e cila vendosi ndaj tyre masën e qortimit, përkatësisht një vërejtje me gojë.

Ngjarja ndodhi pasditen e 31 tetorit, rreth orës 17:30, kur nxënësit po ktheheshin nga dreka. Sipas raportimeve, një grua e moshuar i pyeti se nga vinin dhe ata iu përgjigjën duke bërë me duar simbolin e shqiponjës. Gruaja reagoi ndaj gjestit, ndërsa më pas njoftoi policinë, duke pretenduar se ishte kërcënuar nga të rinjtë.

Policia e Kotorrit i shoqëroi katër gjimnazistët dhe vendosi ndalimin e tyre për kundërvajtjen e pretenduar të nxitjes së urrejtjes kombëtare. Nxënësit qëndruan gjatë natës në polici, ku shkoi edhe një nga mësueset që i shoqëronte në ekskursion.

Mëngjesin e 1 nëntorit, katër të rinjtë u paraqitën para gjykatës kompetente në Mal të Zi. Procesi përfundoi me një qortim verbal, pa vendosjen e një mase më të rëndë ndëshkuese.

Sipas raportimeve, për incidentin ishin njoftuar që mbrëmjen e së shtunës Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Durrës dhe Ministria e Arsimit.

Ndërkohë, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një reagim publik nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë për ndalimin dhe gjykimin e katër nxënësve shqiptarë në Mal të Zi. Nuk është bërë e ditur gjithashtu nëse autoritetet konsullore shqiptare kanë ndërhyrë apo kanë ofruar asistencë gjatë qëndrimit të tyre në polici.

Ngjarja ka përfunduar me qortimin e nxënësve nga gjykata malazeze, ndërsa mbeten për t’u sqaruar rrethanat e plota të incidentit dhe trajtimi i katër të rinjve gjatë ndalimit.

Video

Një muze në Bremen të Gjermanisë ka hapur një ekspozitë të pazakontë kushtuar qenve të racës dachshund, të njohur për trupin e gjatë dhe këmbët e shkurtra. Ekspozita The Dachshund: An Icon off the Leash përfshin piktura, fotografi, skulptura dhe objekte të frymëzuara nga kjo racë, mes tyre edhe punime të artistëve të njohur si Picasso, Andy Warhol dhe David Hockney. Por risia më e madhe është se vizitorët mund të marrin me vete edhe qentë e tyre të vegjël. Muzeu ka përcaktuar orare të posaçme dhe hapësira ku kafshët mund të lëvizin e të eksplorojnë.

Policia që duam

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme