Protestat kundër kostos së lartë të jetesës dhe shkurtimeve të shpenzimeve publike janë përshkallëzuar në përleshje të dhunshme në disa qytete të Gjermanisë, ku gjatë natës së së shtunës u plaçkitën dyqane, u thyen vitrina dhe u sulmuan efektivë të policisë. Incidentet më të rënda u regjistruan në Frankfurt, ndërsa përplasje pati edhe në Berlin, Këln dhe Hamburg.
Mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, kishin dalë fillimisht në protesta paqësore të organizuara nga lëvizja “Gen Z regelt”, që do të thotë “Gjenerata Z merr drejtimin”. Protestuesit kundërshtojnë kostot e larta të jetesës, mungesën e financimeve për shkollat, shkurtimet e shërbimeve publike dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Në Frankfurt, qendrën financiare të Gjermanisë, situata u përshkallëzua gjatë mbrëmjes. Grupe protestuesish thyen xhamat e dyqaneve dhe vodhën mallra, përfshirë atlete, ndërsa ndaj forcave të rendit u hodhën gurë, shishe, fishekzjarrë dhe kokteje Molotov. Policia përdori ujë me presion për shpërndarjen e grupeve të dhunshme dhe vendosi njësi speciale në qendër të qytetit.
Sipas autoriteteve, u sulmua edhe një dyqan armësh, ku u thyen xhamat. Policia njoftoi se pas arrestimit të një të dyshuari sekuestroi dy armë.
Ministri i Brendshëm i landit të Hesenit, Roman Poseck, deklaroi se rreth 100 ekstremistë të identifikuar si të majtë kishin depërtuar në protestën e Frankfurtit. Ai e cilësoi të turpshme mënyrën se si kishin përfunduar demonstratat.
Në Berlin, gjatë protestave të mbrëmjes u plagosën 27 punonjës policie dhe deri në 56 persona u ndaluan përkohësisht. Në Këln, efektivët u sulmuan pranë stacionit qendror hekurudhor me shishe dhe një biçikletë, ndërsa në Hamburg persona të veshur me të zeza dogjën barrikada dhe hodhën fishekzjarrë. Sipas transmetuesit publik NDR, në Hamburg u arrestuan 120 persona.
Autoritetet në Frankfurt, Mynih dhe Berlin raportuan deri në 18 mijë pjesëmarrës, ndërsa organizatorët pretenduan një numër rreth dy herë më të lartë. Mediat gjermane raportuan për dhjetëra mijëra protestues në qytete të ndryshme të vendit.
Zëdhënësja e lëvizjes “Gen Z regelt”, Lina Friedrich, deklaroi se të rinjtë kërkojnë më shumë mbështetje për arsimin dhe shëndetësinë, kundërshtojnë rekrutimin e detyrueshëm ushtarak dhe kërkojnë shpërndarje më të drejtë të barrës ekonomike.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi të dielën se policia kishte parandaluar një përshkallëzim të ngjashëm me dhunën e regjistruar në Paris gjatë javëve të fundit dhe kërkoi ndëshkime të ashpra për personat e përfshirë në sulme dhe plaçkitje.
Protestat në Gjermani u zhvilluan në të njëjtën ditë me demonstrata masive në Francë, ku mbi 320 mijë persona dolën në rrugë për të tretën fundjavë radhazi, duke kërkuar masa kundër shtrenjtimit të jetesës dhe përmirësimin e shërbimeve publike, veçanërisht arsimit.
Në Toulouse, Lyon dhe Marseille u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe policisë, me më shumë se 500 arrestime. Autoritetet franceze njoftuan se një polic ishte plagosur nga një koktej Molotov dhe prokuroria nisi hetim për tentativë vrasjeje. Në Paris, policia raportoi sulme me sende të forta ndaj forcave të sigurisë.
Demonstrata pati gjithashtu në Itali, ku u regjistruan përplasje në Romë dhe Torino, si edhe në Portugali, ku policia ndërhyri për të shpërndarë një kamp me tenda të ngritur pas protestave kundër një projektligji për qiratë.
Protestat e udhëhequra kryesisht nga të rinjtë janë shtrirë në disa vende europiane, përfshirë Francën, Belgjikën, Irlandën, Spanjën, Portugalinë, Italinë, Greqinë, Serbinë dhe Shqipërinë. Edhe pse kërkesat ndryshojnë nga një vend në tjetrin, në qendër të pakënaqësisë janë shtrenjtimi i jetesës, vështirësitë për strehim, cilësia e arsimit dhe shkurtimet e shërbimeve publike.






















