Një gjykatë federale në Kaliforni ka urdhëruar administratën e presidentit amerikan Donald Trump të ndalojë kërcënimet me ndjekje penale ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë që merren me administrimin dhe numërimin e votave.
Sipas vendimit, Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk duhet të kërkojë nga zyrtarët zgjedhorë që të veçojnë ose të mos përpunojnë fletëvotimet e personave për të cilët administrata Trump dyshon se nuk janë shtetas amerikanë.
Vendimi vjen vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të ndërmjetme të 3 nëntorit, të cilat do të përcaktojnë se cila parti do të kontrollojë Kongresin amerikan gjatë dy viteve të fundit të mandatit presidencial të Trump.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Departamenti i Drejtësisë u kishte dërguar më herët letra autoriteteve zgjedhore në Kaliforni, duke kërkuar veçimin e votave të rreth 20 mijë zgjedhësve të regjistruar, për të cilët administrata dyshonte se mund të mos kishin shtetësi amerikane.
Rreth një javë më vonë, zyrtarë të armatosur të Departamentit të Sigurisë Kombëtare u dorëzuan autoriteteve lokale letra që paralajmëronin ndjekje penale në rast se kërkesat nuk zbatoheshin.
Autoritetet zgjedhore kundërshtuan këto kërkesa, duke argumentuar se ishin të detyruara të ndiqnin procedurat e përcaktuara nga ligjet shtetërore dhe federale.
Gjykatësja federale Trina Thompson vendosi në favor të grupeve për të drejtat civile dhe sindikatave që përfaqësojnë punonjësit zgjedhorë, të cilat kishin akuzuar Departamentin e Drejtësisë për ndërhyrje në administrimin e zgjedhjeve.
Në vendimin e saj, gjykatësja theksoi se veprimet e administratës, megjithëse paraqiten si masa kundër votimit të paligjshëm nga persona pa shtetësi amerikane, mund të pengojnë procesin zgjedhor dhe t’u mohojnë të drejtën e votës qytetarëve që e gëzojnë ligjërisht atë.
Kërkesa të ngjashme janë dërguar edhe në shtetin e Uashingtonit, ku autoriteteve u është kërkuar të ndalojnë përpunimin e disa fletëvotimeve.
Presidenti Trump reagoi të shtunën duke kritikuar vendimin e gjykatës dhe duke pyetur përse po pengohen përpjekjet për të luftuar mashtrimet zgjedhore. Ai deklaroi se do të vazhdojë të mbrojë atë që e quan integritet të zgjedhjeve.
Trump ka pretenduar vazhdimisht se mashtrimet zgjedhore janë të përhapura në SHBA, veçanërisht në votimin me postë dhe në rastet e votimit nga persona pa shtetësi amerikane. Ai ka ofruar gjithashtu një shpërblim prej një milion dollarësh për informacionet që çojnë në dënimin e personave për mashtrime zgjedhore.
Megjithatë, studimet tregojnë se raste të tilla janë shumë të rralla. Sipas BBC Verify, të dhënat e fondacionit Heritage tregojnë se nga viti 2005 deri në vitin 2025 janë regjistruar 24 raste të dënimit të personave pa shtetësi amerikane për votim të paligjshëm.






















