Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të ironizojë Britaninë e Madhe gjatë një interviste për Euronews në Bruksel, duke u sugjeruar britanikëve të luftojnë krimin e organizuar dhe të rikthehen në Bashkimin Europian.
Deklarata u bë këtë të martë, më 3 nëntor, gjatë Euronews Enlargement Summit 2026, ku Rama ishte i ftuar për të folur mbi procesin e zgjerimit të BE-së dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Në përfundim të intervistës me gazetaren Maria Tadeo, kryeministri shqiptar iu referua Brexit-it, duke bërë shaka se tashmë britanikët ndodhen pas shqiptarëve në radhën për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
“Britanikët duhet të presin, janë pas nesh. Të jesh përpara britanikëve më në fund, pas mijëra vitesh që ishin në krye, tani duhet të rrinë pas. Shqiptarët do të përshëndesin çdo arritje të tyre”, deklaroi Rama.
Më pas, ai e vazhdoi ironinë duke i këshilluar britanikët të përballen me krimin e organizuar dhe të rikthehen në familjen europiane.
“I inkurajojmë të luftojnë krimin e organizuar, të kenë kurajë dhe të kthehen në shtëpi, sepse nuk po kalojnë mirë në mes të oqeanit. Është shaka! Duhet të jeni në BE dhe kudo doni ju”, u shpreh kryeministri.






















