Politika 4 November 2026, 14:26 Nga VNA

Progres-Raporti i BE: Kritika për qeverinë, ndërhyrjet në drejtësi, korrupsionin dhe lirinë e medias

Ndaje në Whatsapp

Progres-Raporti i BE: Kritika për qeverinë, ndërhyrjet në

Komisioni Europian ka publikuar këtë të mërkurë, më 4 nëntor, Progres-Raportin për Shqipërinë për vitin 2026, ku vlerëson ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por evidenton një sërë problematikash që lidhen me funksionimin e demokracisë, ndërhyrjet politike në drejtësi, korrupsionin dhe lirinë e medias.

Në dokument theksohet se Shqipëria ka përmbushur kriteret e ndërmjetme në grupkapitullin e çështjeve themelore, ndërsa ruajtja e ritmit të negociatave kërkon përshpejtimin e reformave cilësore, me synimin për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027.

Një nga kritikat kryesore lidhet me funksionimin e Kuvendit. Komisioni Europian konstaton se mungesa e dialogut politik dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës kanë kufizuar efektivitetin e institucionit ligjvënës.

Raporti evidenton se Kuvendi nuk ka zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe politizimi i emërimeve në institucionet e pavarura kanë dobësuar kontrollin parlamentar mbi qeverinë.

Brukseli kërkon gjithashtu realizimin urgjent të një reforme gjithëpërfshirëse zgjedhore, përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke theksuar se një pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten ende të pazbatuara.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet protestave qytetare të nisura në maj të vitit 2026 dhe protestave studentore të tetorit. Komisioni i cilëson ato si mobilizimin më të madh qytetar që prej tranzicionit demokratik, duke evidentuar edhe incidentet e dhunshme mes protestuesve dhe Policisë. Në raport kërkohet që palët të angazhohen në një dialog konstruktiv.

Sa i përket drejtësisë, Komisioni Europian vlerëson përfundimin e procesit të vettingut dhe rezultatet e reformës së nisur në vitin 2016. Megjithatë, shqetësim mbeten përpjekjet e politikanëve dhe zyrtarëve publikë për të ushtruar ndikim mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un.

“Përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve, vazhduan gjatë periudhës së raportimit”, theksohet në dokument.

Nga ana tjetër, SPAK vlerësohet për pavarësinë dhe rezultatet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, Komisioni thekson se korrupsioni mbetet një sfidë serioze dhe kërkon më shumë hetime, ndjekje penale dhe dënime të formës së prerë, veçanërisht për çështjet e profilit të lartë.

Kritika të forta adresohen edhe për lirinë e medias. Sipas raportit, Shqipëria nuk ofron garanci të mjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes, ndërsa pavarësia e mediave vijon të ndikohet nga lidhjet mes politikës, biznesit dhe pronarëve të mediave.

Komisioni evidenton mungesën e transparencës së financimeve, përqendrimin e pronësisë, fushatat denigruese ndaj gazetarëve, paditë SLAPP dhe kushtet e pasigurta të punës në sektorin mediatik.

Në administratën publike, raporti kritikon qeverinë për ndryshimet e buxhetit përmes akteve normative, pa mbikëqyrje të mjaftueshme parlamentare, si dhe për mangësitë në konsultimet publike.

Problematika evidentohen edhe në respektimin e të drejtave themelore, veçanërisht në kushtet e burgjeve, të drejtën e pronës dhe mbrojtjen e pakicave. Komisioni kërkon përshpejtimin e regjistrimit të pronave, digjitalizimin e dokumentacionit kadastral dhe kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist.

Sa i përket Planit të Rritjes së Bashkimit Europian, Shqipëria ka përmbushur 33 nga 66 hapat e parashikuar deri në dhjetor 2025, ndërsa ka bërë përparim edhe në një pjesë të konsiderueshme të detyrimeve të tjera.

Në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, vendi ka në dispozicion mbi 920 milionë euro në formën e granteve dhe kredive.

Në tërësi, Progres-Raporti 2026 vlerëson ecurinë e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, por nënvizon se përparimi drejt Bashkimit Europian duhet të shoqërohet me rezultate konkrete në forcimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së medias.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme