Kryeministri Edi Rama i paralajmëroi protestuesit se do të gjobiteshin nëse bllokonin rrugët gjatë tubimeve. Qeveria miratoi me urgjencë një akt normativ dhe Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e tij. Bilanci i parë është 36 protestues të gjobitur me nga 5 mijë lekë secili.
Policia e Tiranës njoftoi se masat administrative janë vendosur ndaj qytetarëve që morën pjesë në protestën e djeshme, gjatë së cilës u bllokua qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar, 36 procesverbalet janë plotësuar në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1.
Policia pretendon se protestuesit nuk iu bindën thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e rrugës, të bëra përmes megafonit. Për secilin është vendosur një gjobë prej 5 mijë lekësh, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Vendosja e gjobave shënon zbatimin e parë të masave ndëshkuese që qeveria miratoi në prag të protestave, duke e kthyer paralajmërimin politik të kryeministrit në një masë konkrete financiare ndaj qytetarëve.
Çështja tashmë shkon përtej 36 gjobave. Në një vend ku e drejta e tubimit dhe e protestës garantohet nga Kushtetuta, përdorimi i një akti normativ të miratuar me urgjencë për të ndëshkuar pjesëmarrësit në protesta ngre pyetje për proporcionalitetin e kufizimeve dhe mënyrën se si pushteti e trajton kundërshtimin qytetar.
Sepse shteti që duhet të garantojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar, tashmë ka nisur t’u dërgojë faturën atyre që dalin kundër tij.






















