Opinion 4 November 2026, 07:31 Nga VNA

Opinioni mish-peshk-shpend i Bankës së Shqipërisë!

Ndaje në Whatsapp

Opinioni mish-peshk-shpend i Bankës së Shqipërisë!

Foto ilustruese – VNA.al


Projektbuxheti 2027 i Qeverisë Shqiptare në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me paraqitjen e opinionit të Bankës së Shqipërisë. Pa hyrë në analizë të detajuar ligjore se përse Banka shpreh opinion, sqarojmë se thelbi është që politika monetare (e Bankës së Shqipërisë) dhe ajo fiskale (e Qeverisë), që të jenë efektive, duhet të harmonizohen. Harmonizimi arrihet duke analizuar paraprakisht dhe komunikuar analizat për projektin e buxhetit dhe aktet që e shoqërojnë, në lidhje me efektet dhe risqet e pritshme. E thënë thjesht, Banka e Shqipërisë i thotë Komisionit nëse politika fiskale që kërkon të ndjekë qeveria sipas buxhetit të propozuar krijon rreziqe për inflacionin, qëndrueshmërinë ekonomike dhe efektivitetin e politikës monetare. Këtë duhet të shprehte fjala e zëvendësguvernatores (po përmendim personin referues në Komision, se është e qartë që fjala në fakt paraqet qëndrimin zyrtar të institucionit).

Pa hyrë në trajtim shumë teknik të opinionit të Bankës së Shqipërisë, një fjalë që në pamje të parë të duket korrekte nga ana teknike dhe terminologjike, në fakt është një opinion mishpeshkshpend, domethënë që nuk jep sinjalet e qarta e me kurajë për projektin që paraqitet.

Zëvendësguvernatorja u shpreh saktë kur tha (po i themi më popullorçe për lexuesit, me mënyrë të shprehuri pak më absolutiste, krahasuar me të shprehurit ekstremisht relativist që përdor banka qendrore që të “jetë brenda për çdo rast”):

* Konsolidimi fiskal nuk do të krijojë probleme për inflacionin. Nëse do të kemi inflacion, atë do ta importojmë nga jashtë për shkak të situatës në tregjet ndërkombëtare.
* Rritja ekonomike ka nevojë në periudhë afatmesme të arrihet përmes zgjerimit të bazës së sektorëve të saj dhe diversifikimit e përmirësimit të produktivitetit.
* Rritja ekonomike ka nevojë të mbështetet në klimë biznesi të përmirësuar dhe favorizim të investimeve e inovacionit.
* Përmirësimi i infrastrukturës publike kërkohet në sasi e cilësi dhe krijohet hapësira për më shumë investime të tilla nga projektbuxheti.

Por zëvendësguvernatorja është shprehur as korrektësisht nga ana teknike, as qartësisht nga ana gjuhësore mbi efektin e pritshëm në çmime të ndryshimeve të propozuara në paketën fiskale. Të na ndjejnë të gjithë ata që e kanë shkruar e miratuar opinionin e lexuar nga zëvendësguvernatorja, por komenti mbi këtë element i përngjan ekzaktësisht një opinioni kafenesh. E citojmë të plotë për lexuesin:

“Po ashtu, një aspekt i projektbuxhetit me interes të veçantë për Bankën e Shqipërisë është ndikimi i masave fiskale në ecurinë e çmimeve. Ulja e TVSH-së për disa ushqime bazë dhe reduktimi i normës së taksimit të karburanteve pritet të ushtrojnë ndikim në kahun rënës mbi çmimet, ndërkohë që rritja e përgjithshme e TVSH-së dhe reduktimi i pragut të xhiros për përfshirjen e bizneseve në skemën e TVSH-së mund të japin ndikim të kahut të kundërt. Në tërësi, ne vlerësojmë se ndikimi neto i tyre do të varet nga pesha dhe shkalla e transmetimit te çmimet finale të konsumit. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se ndikimi i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të taksave në inflacion ka natyrë të përkohshme. Megjithatë, efekte më të qëndrueshme mund të shfaqen nëse këto ndryshime ndikojnë pritjet për inflacionin, kërkesat për paga apo sjelljen e bizneseve në përcaktimin e çmimeve.”

(Burimi: Banka e Shqipërisë – Fjala e zëvendësguvernatores së Dytë, Natasha Ahmetaj, mbi projektbuxhetin 2027⁠)

Vëreni së pari asimetrinë e qëndrimit me trend servilizmi ndaj qeverisë. Uljen e TVSH-së për disa produkte Banka e Shqipërisë e merr si fakt të kryer se pret që të sjellë reduktim çmimesh. Ndërsa rritjen e TVSH-së për pjesën tjetër të produkteve e konsideron se MUND (me pasiguri) të çojë në rritje çmimesh.

Së dyti, për të qenë brenda, Banka e Shqipërisë heziton të vlerësojë ndikimin neto apo rezultant të ndryshimeve të paketës fiskale në çmime e, për pasojë, në inflacion. Në opinion shprehet: “ndikimi varet nga pesha dhe shkalla e transmetimit te çmimet finale të konsumit” dhe po e tillë është edhe fjalia në vijim për inflacionin. Për t’u thënë këto opinione, me këtë formulim gjuhësor, nuk kanë nevojë për 9 anëtarë në Këshillin Mbikëqyrës të superpaguar (nuk po numërojmë gradat akademike) dhe për guvernator e zëvendësguvernatorë me imunitet hermetik. Banka e Shqipërisë duhet të ketë modelet e veta (jo domosdoshmërisht ekonometrike) të arsyetimit e konkludimit se si do të jetë ndikimi rezultant, duke ditur edhe natyrën e sjelljes së operatorëve në treg, si dhe efektivitetin e mekanizmave të transmetimit apo të kontrollit të tyre.

Banka duhet të kishte analizuar nëse TVSH-ja rritet apo ulet për pjesën më të madhe të produkteve; të vlerësonte efektin nisur nga peshat në shportat e konsumit; të shqyrtonte sjelljen historike të rasteve të ngjashme apo të ballafaqonte me përvoja të studiuara në tregje të tjera. P.sh., TVSH-ja mund të ulet për bukën, por rritet për ujin dhe energjinë elektrike e disa vlerësime të thjeshta mund të ishin bërë për të dhënë tendencën e përgjithshme. Pa përmendur që në sektorin e ekonomisë ndikimi kryesisht është me TVSH të rritur.

Tregjet në Shqipëri kanë natyrë të përqendruar (pra imponim më të lehtë në krahun rritës të çmimit), po ashtu edhe korrektimin e kanë më të shpejtë në kahun rritës se në atë zbritës. Këto sjellje tregu Banka e Shqipërisë duhet t’i njohë ose duhet t’i ketë studiuar e, për pasojë, t’i përfshinte në opinionin e saj. Banka e Shqipërisë ka mundësi të vrojtojë vetë tregun. Që tani në tregje ka filluar të ketë një korrektim rritës çmimesh, si parathënie për të mos i ulur në realitet kur të aplikohet TVSH-ja më e ulur vitin tjetër. Bankën e Shqipërisë po ashtu nuk e ndalon askush të kryente raundin e vet të konsultimeve me palët e interesuara, organizatat e biznesit që me shumë skrupulozitet po i vlerësojnë efektet e paketës fiskale.

Kjo mënyrë të shprehuri dhe në tërësi opinioni i Bankës së Shqipërisë është një qëndrim “mishpeshkshpend”, atë shije e përmbajtje ka.

I tillë është edhe opinioni për investimet publike, pa analizuar nëse raporti i këtyre shpenzimeve (një pjesë e konsiderueshme e të cilave tashmë janë nën hetim për korrupsion) me rritjen e barrës fiskale a ka krijuar një raport optimal që jep efekt pozitiv afatgjatë, apo ka krijuar premisa për përqendrim të mëtejshëm të ekonomisë dhe shpërdorim të të ardhurave publike, që mund të gërryejnë fuqinë e bazës së tatueshme në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë opinion nëse struktura e shpenzimeve dhe ngarkesa fiskale e re çojnë në struktura ekonomike më të përqendruara apo më të ekuilibruara. Dhe kjo ka rëndësi sepse Banka e Shqipërisë ka rol dhe interes edhe për qëndrueshmërinë financiare të vendit, e cila arrihet me një qarkullim më të gjerë të parasë në ekonomi (në çdo qelizë të saj, jo vetëm në rrethe oligarkësh), me diversifikim më të lartë dhe ku përfitues del çdo qelizë e ekonomisë.

Banka e Shqipërisë e përshëndet që projektbuxheti i ri ka fokus te shpenzimet për skemat e sigurimeve dhe të pensioneve. Normalisht këto janë masa sociale që bankat qendrore si rregull nuk i pëlqejnë si prishëse të frymës antiinflacioniste. Por viti që vjen është vit zgjedhor dhe si i tillë do të ketë nga këto vendime. Por Banka e Shqipërisë nuk analizon më tej para Komisionit riskun e vazhdueshëm që u qëndron financave publike që, pavarësisht reformimit të herëpashershëm të këtyre skemave, ato nuk shndërrohen në skema të qëndrueshme. Kjo krijon presione të mëtejshme mbi financat publike, pra vë në diskutim qëndrueshmërinë fiskale afatmesme (ose në kahun e shpenzimeve, ose në kahun e rritjes së barrës fiskale).

Banka e Shqipërisë është e pasaktë kur shprehet se paketa e re tatimore synon zgjerim të bazës së të ardhurave dhe reduktim të informalitetit, duke nxitur konkurrencën dhe transparencën financiare në ekonomi. Tipari qendror i paketës është ngritja vertikale, jo zgjerimi horizontal dhe as drejtësi në aspektin e tatimit progresiv. Sa i përket elementeve të informalitetit, të konkurrencës apo transparencës, përvoja pikërisht tregon të kundërtën, që rritjet e konsiderueshme dhe të menjëhershme të barrës fiskale kanë nxitur informalitetin, kanë reduktuar transparencën. Sidomos për sa i përket elementit të pragut të TVSH-së, për të cilën edhe FMN-ja, institucioni më tatimdashës në botë, ka analizuar e konkluduar si efektiv një prag të paktën 3 milionë lekë më të lartë.

Risqet e sugjerimet e përfshira në opinionin e Bankës së Shqipërisë janë po ashtu të trajtuara në forma përgjithësuese, pa prononcim të qartë, kurajoz e të pavarur të bankës qendrore.

Për shembull, risqe që Banka e Shqipërisë duhet t’i shqyrtojë seriozisht me Qeverinë dhe Kuvendin, që ndikojnë jo vetëm në qëndrueshmërinë makroekonomike, por edhe në atë të sektorit financiar, janë:

* Zbrazja e tregut të punës – kriza demografike që ndikon drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e skemave të pensioneve dhe sigurimeve. A ndihmon një politikë tatimore e tillë në nxitjen e mbajtjes së fuqisë punëtore në vend? A mbështet struktura e shpenzimeve publike përsëri mbajtjen e fuqisë punëtore në vend?
* Burimet e kapitalit të pistë që hyn dhe qarkullon në vend. Sa kapital i pistë ushqen të ardhurat publike dhe qarkullimin e parasë në sektorin financiar? Sa kapital i pistë përthith para publike në formën e investimeve publike dhe dikton strukturën e ekonomisë? Në këtë rast kontributi i Bankës duhet të ishte në dhënien e opinioneve apo analizave se si duhet të menaxhohet në mënyrë të kontrolluar pastrimi i ekonomisë nga paraja e pistë.
* Statistikat e pazhvilluara të vendit. Këtu nënkuptohet jo vetëm mungesë e treguesve që ndihmojnë në analizimin e ekonomisë – mjafton një krahasim me publikimet e Eurostat për të kuptuar se sa më pak informacion përmbahet në statistikat shqiptare. Por edhe vetë Banka e Shqipërisë është e nevojshme të jetë shumë transparente në vlerësimet që bën në bilancin e pagesave, posaçërisht për zërin e remitancave.
* Kursi i këmbimit ose, e thënë ndryshe, forcimi i lekut. Banka e Shqipërisë prej kohësh duhet të kishte kryer (ndoshta dhe i ka kryer) dhe bërë publike e objekt diskutimi të gjerë studimet për faktorët strukturorë dhe faktorët e tjerë afatgjatë apo me natyrë të përkohshme që kanë çuar në forcim të lekut, që dhe operatorët ekonomikë të mund të mendonin me kohë për rimodelimin e biznesit të tyre, sidomos në një ekonomi që nuk ka shumë hapësira rimodelimi, riaftësimi dhe diversifikimi.

E thënë shkurt, opinioni mishpeshkshpend i Bankës së Shqipërisë duket se është hartuar nën jehonën e fjalës së Kryeministrit Rama në hollin e këtij institucioni, ku me zë të fortë i kujtoi se edhe Bankës protestuesit i gjuajtën me gur.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme