Ish-ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dyshohet të ketë përfituar ryshfet një shumë prej 1.7 milionë eurosh përmes bashkëshortit të saj, ish-politikanit Artan Gaçi. Prokuroria e Posaçme është duke e hetuar çiftin Xhaçka-Gaçi për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe të dyve iu është komunikuar se zyrtarisht iu është regjistruar emri në regjistrin e veprave penale.
Paratë e ryshfetit dyshohet se janë fituar për shkak të një tenderi për blerje municionesh, që Xhaçka ka lidhur gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Paratë kanë kaluar, sipas verifikimeve të hetuesve, në duart e ish-ministres përmes kompanive të bashkëshortit të saj.
Si Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka janë thirrur nga prokurorët e posaçëm Ols Dado dhe Altin Dumani për të dhënë shpjegime lidhur me çështjen. SPAK është vënë në lëvizje pas një informacioni të ardhur nga një prej vendeve të BE-së dhe, me sa duket, dyshimet janë ngritur për shkak të faktit se shuma e parave të kaluara në llogari ka qenë e lartë.
Hetimet janë duke vijuar e me gjasë do të përcaktojnë dhe fatin e ish-ministres së Mbrojtjes dhe ish-ministres së Jashtme Xhaçka në politikë. Ndërsa bashkëshorti i saj Gaçi, që ishte deputet i PS-së për një mandat, prej kohësh ka fituar statusin e investitorit strategjik dhe po ndërton një resort luksoz në jug të vendit, në një nga zonat më të lakmuara bregdetare.






















