Demokrati Chris Pappas ka hyrë në historinë e Kongresit amerikan, duke u bërë burri i parë që e ka deklaruar hapur homoseksualitetin e tij dhe është zgjedhur në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Pappas fitoi garën elektorale në New Hampshire në zgjedhjet e 3 nëntorit, por orientimin e tij seksual nuk e kishte kthyer në çështje qendrore të fushatës. “Në vend të parë kanë qenë gjithmonë interesat e votuesve”, kishte deklaruar ai së fundmi.
I lindur në vitin 1980 në Manchester të New Hampshire, senatori i ri vjen nga një familje emigrantësh grekë, historia e së cilës konsiderohet një shembull i ëndrrës amerikane. Paraardhësit e tij mbërritën në SHBA me pak para, por arritën të ndërtonin biznesin e tyre. Familja zotëron restorantin historik Puritan Backroom, të hapur në vitin 1917, ku Pappas nisi të punonte që në moshën 14-vjeçare, fillimisht si pjatalarës, më pas si kamerier dhe shitës akulloresh.
Restoranti është i njohur për copat e pulës së panifikuar, të quajtura chicken tenders, të cilat, sipas traditës lokale, u shpikën nga gjyshi i tij. Me kalimin e viteve, ato janë kthyer në një nga specialitetet më të njohura të New Hampshire.
Pappas është diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin Harvard, ku gjatë viteve të studimit deklaroi hapur orientimin e tij seksual. Ai është i martuar me avokatin Vann Bentley dhe është i apasionuar pas lojërave të tavolinës.
Karriera e tij politike është ndërtuar gradualisht. Gjatë 23 viteve, ai ka kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve e shtetit të New Hampshire në Këshillin Ekzekutiv të këtij shteti, përpara se të zgjidhej në vitin 2018 në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, ku nisi mandatin në janar 2019.
Fushata e tij për Senatin u përqendrua te mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, ruajtja e martesave mes personave të së njëjtës gjini, ulja e çmimeve të barnave, mbështetja për bizneset e vogla dhe mbrojtja e veteranëve të luftës.
Në janar 2027, Pappas do të lërë vendin në Dhomën e Përfaqësuesve për të marrë mandatin e senatorit. Në Senat do të jetë edhe demokratja Tammy Baldwin, 64 vjeçe, e para grua që e kishte deklaruar hapur homoseksualitetin dhe u zgjodh në Senatin amerikan, ku shërben që prej vitit 2013.






















