Të rinj të goditur, që kanë humbur sy e këmbë, protestues të tërhequr zvarrë dhe qytetarë që denoncojnë dhunë edhe pasi janë neutralizuar. Pamjet e protestave të fundit në Tiranë kanë ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si Policia e Shtetit ka përdorur forcën ndaj qytetarëve.
Por ndërsa denoncimet për dhunë policore shtohen dhe pamjet vijojnë të qarkullojnë në media e rrjetet sociale, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, mbron ndërhyrjet e uniformave blu, duke e vendosur theksin te dhuna e protestuesve, të cilën e cilësoi si të tejskajshme.
Gjatë raportimit këtë të mërkurë në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes në Kuvend, ku prezantoi projektbuxhetin e Ministrisë së Brendshme për vitin 2027, Demo deklaroi se 9 punonjës policie janë pezulluar nga detyra, ndërsa 50 raste po hetohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Sipas tij, institucionet po bashkëpunojnë edhe me prokurorinë për rastet e referuara.
Por përtej këtyre shifrave, mbeten pa përgjigje disa pyetje thelbësore. Kush mban përgjegjësi për protestuesit e dëmtuar? A është respektuar parimi i proporcionalitetit në përdorimin e forcës? Dhe çfarë masash konkrete do të merren ndaj efektivëve që rezultojnë përgjegjës për dhunën?
Nëntë policë të pezulluar dhe 50 raste në hetim nuk mjaftojnë për të sqaruar atë që ka ndodhur në rrugët e kryeqytetit. Përgjegjësia institucionale nuk mund të kufizohet vetëm te publikimi i shifrave, ndërsa qytetarët presin transparencë dhe rezultate konkrete nga hetimet.
Megjithatë, në përfundim të raportimit, ministri Demo e zhvendosi vëmendjen te buxheti i vitit të ardhshëm, duke nënvizuar mbështetjen më të madhe financiare që qeveria parashikon për Policinë e Shtetit. Sipas tij, investimet e vitit 2027 synojnë forcimin e kapaciteteve dhe garantimin e niveleve më të larta të profesionalizmit të punonjësve të policisë.
Një premtim që tingëllon në kontrast me pamjet e ditëve të fundit, ku pikërisht profesionalizmi dhe mënyra e ushtrimit të forcës nga uniformat blu janë vënë në pikëpyetje.













