Sociale 4 November 2026, 12:04 Nga VNA

Protestat dhe qeverisja: çfarë tregojnë 10 lëvizje në 30 vjet, dhe rasti i ri i Serbisë

Ndaje në Whatsapp

Protestat dhe qeverisja: çfarë tregojnë 10 lëvizje në


Ky artikull paraqet rezultatet e një analize të 10 lëvizjeve protestuese në 9 vende të Evropës Lindore dhe Kaukazit të Jugut, nga Sllovakia e vitit 1998 deri te Bullgaria e vitit 2020.

Çdo rast krahasohet me vendet fqinje pa protesta të tilla, gjithsej 21 vende, me të dhëna nga 1996 deri në 2025. Atyre u shtohet rasti i 11-të, Serbia e viteve 2024–2026, që sapo ka kaluar provën e parë: zgjedhjet e 25 tetorit. Gjetja kryesore është se protestat, në vetvete, nuk lidhen me përmirësim të qëndrueshëm të qeverisjes.

Përmirësimi vërehet vetëm aty ku protesta është shoqëruar me një fitore bindëse zgjedhore të një qeverie të re, dhe ka zgjatur vetëm aty ku gjykatat, prokuroria, media dhe parlamenti kanë ruajtur pavarësinë dhe aftësinë për ta kufizuar pushtetin edhe pas ndërrimit të qeverive. Serbia e plotëson kushtin e parë; për të dytin, që matet me vite, është ende herët.

Protestat e tetorit në Tiranë, Korçë, Elbasan, Shkodër dhe qytete të tjera e sollën sërish pyetjen që shoqëria shqiptare e ka shtruar disa herë në këto 36 vjet: a sjellin protestat ndryshim? Për t’iu përgjigjur me të dhëna, shqyrtova çfarë ndodhi në vitet pas secilës prej 10 lëvizjeve, duke i krahasuar vendet përkatëse me fqinjët e tyre në të njëjtën periudhë.

Si tregues përdora dy vlerësime të Bankës Botërore (kontrollin e korrupsionit dhe liritë (zgjedhje të lira, media e lirë, liri organizimi), të dy në shkallë 0–100 ku vlera më e lartë do të thotë më mirë. Një ndryshim e quajta solid vetëm kur intervalet e besimit para dhe pas protestës nuk mbivendosen. Ky i fundit kërkon zakonisht një lëvizje prej 10 pikësh ose më shumë, ndërkohë që ndryshimi tipik dyvjeçar është rreth 2 pikë. Analiza tregon çfarë ndodhi pas protestave; ajo nuk provon se protestat e shkaktuan.

Pyetja 1: A i rrëzojnë protestat liderët politike?

Ndonjëherë. Drejtuesi u largua brenda një viti në 6 nga 10 raste. Por luhatja është domethënëse: ndodhi çdoherë kur protesta ishte kundër zgjedhjeve të vjedhura ose uzurpimit të pushtetit (Serbia 2000, Gjeorgjia 2003, Armenia 2018), dhe vetëm 2 herë nga 5 kur çështja kryesore ishte korrupsioni (Maqedonia e Veriut 2016 dhe Sllovakia 2018, por jo Rumania 2017, Moldavia 2016 dhe Bullgaria 2020). Edhe kur lideri u largua, partia e tij shpesh mbeti në pushtet, psh. në Sllovaki, Fico dha dorëheqjen në 2018, por partia e tij qeverisi deri në 2020.

Në botë, fushatat paqësore kanë sukses rreth dy herë më shpesh se ato të dhunshme (53% kundrejt 26%, sipas Chenoweth dhe Stephan), por që nga 2010 vetëm rreth 1 në 3 ka pasur sukses.

Pyetja 2: A përmirësohet qeverisja më pas?

Përmirësim më domethënës në vetëm 4 nga 10 raste: Gjeorgjia (korrupsioni), Serbia (liritë), Armenia (të dyja) dhe Moldavia (korrupsioni, pas 2021). Të katra kanë një të përbashkët: përmirësimin e parapriu një fitore e madhe zgjedhore e një qeverie të re. Saakashvili mori 96%; koalicioni serb 176 nga 250 mandate; Pashinian 88 nga 132; PAS në Moldavi 63 nga 101. Në gjashtë rastet e tjera, ku drejtuesi u largua pa një fitore të tillë ose nuk u largua fare, nuk pati përmirësim të qartë.

Grafiku 1. Çdo përmirësim i qartë erdhi pas një fitoreje të madhe zgjedhore

Protestat dhe qeverisja: çfarë tregojnë 10 lëvizje në

Moldavia: fitorja e madhe erdhi vetëm në 2021. Përmirësim i qartë = treguesi i Bankës Botërore u rrit më shumë se marzhi i gabimit, brenda dy vjetësh ose deri në 2025. Burimi: Banka Botërore (WGI 2026), komisionet zgjedhore; analiza e autorit.
Por fitorja e madhe nuk mjaftoi. Në Gjeorgji, treguesi i antikorrupsionit u rrit nga 17 në 47 pikë brenda dy vitesh (rritja më e madhe ndër 524 të matura në 21 vende që nga 1996) arriti 65 në 2019, dhe ra në 45 në 2025. Në Serbi, treguesi i lirive u ngjit nga 42 në 54 pas rrëzimit të Millosheviçit, arriti 64 në 2009, dhe ra në 50 në 2025, nën mesataren e fqinjëve. Në të dy rastet pushteti u përqendrua te lidershipi dhe kontrolli i gjykatave, medias dhe parlamentit. Të dy vendet kishin fonde nga jashtë ose lidhje me BE-në. Vetëm mbështetja nga faktorë të jashtëm nuk mjafton.

Grafiku 2. Rritje e madhe pas protestës, pastaj rënie kur pushteti u përqendrua

Protestat dhe qeverisja: çfarë tregojnë 10 lëvizje në

Shkalla 0–100, më i lartë = më mirë. Fqinji tipik = mesorja e 4–5 vendeve fqinje. Burimi: Banka Botërore, WGI 2026.
Rastet ku përmirësimi ka zgjatur deri tani, Armenia dhe Moldavia, kishin organe të reja antikorrupsion nën mbikëqyrje të organizatave ndërkombëtare, mbështetje të BE-së të lidhur me reformat dhe shoqëri civile në tryezën e vendimmarrjes.

Pyetja 3: A mund të priten lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar?

Po, dhe ka zgjatur dekada, por askund vetëm me zgjedhje. Hong Kongu krijoi pas protestave studentore në 1974 një komision antikorrupsion të pavarur nga policia; sot renditet i 12-ti në botë për korrupsion të ulët. Italia e bëri anëtarësinë në mafie vepër penale, konfiskoi pasuritë dhe shpërndau 402 këshilla bashkiake të kapura. Nju Jorku e theu kontrollin e mafies mbi sindikatat industri pas industrie, me ligj dhe monitorues të caktuar nga gjykata. E përbashkëta: një prokurori ose agjenci e pavarur, ligje që godasin paratë e krimit, dhe vazhdimësi e kësaj pavarësie përtej ndërrimit të qeverive.

Shqipëria ka dy nga tri. Ka SPAK-un, që në 2025 dërgoi në gjyq 18 zyrtarë të lartë, dhe ka vettingun, që largoi 57% të gjyqtarëve dhe prokurorëve të kontrolluar. Konfiskimi i parave të krimit mbetet i pjesshëm: gjykatat sekuestruan rreth 440 milionë euro në gjysmën e parë të 2026, por konfiskimet përfundimtare janë shumë më pak (37 milionë në 2024, rreth 2 milionë në 2025). Dhe testi i tretë, qëndrueshmëria pas ndërrimit të qeverisë, nuk është bërë ende: SPAK ka punuar vetëm nën një parti në pushtet, me 206 nga 322 pozicione të plotësuara, dhe Komisioni Evropian vëren se përpjekjet për presion mbi drejtësinë janë shtuar.

Mediat dhe dy protestat studentore

Një test shtesë, me rregulla të shkruara para mbledhjes së të dhënave, krahasoi si i pasqyruan 8 media kombëtare shqiptare protestat studentore të dhjetorit 2018 dhe të tetorit 2026, në shtatë ditët e para të secilës. Në 2018, 22% e titujve flisnin për kërkesat e studentëve dhe 2% për dhunën ose rendin. Në 2026, 57% flisnin për dhunën ose rendin dhe vetëm 9% për kërkesat. Kjo përshkruan mbulimin, jo shkakun: protestat e 2026 kanë një kërkesë më të fortë, dhe mbetet e diskutueshme se kush e nisi dhunën. Por tregon diçka që çdo lëvizje duhet ta dijë: kur dhuna hyn në vëmendje, kërkesat dalin prej saj.

Grafiku 3. Pjesa e titujve për protestat studentore, 8 media shqiptare

Koduar me fjalë kyçe; „dhuna ose rendi“ përfshin policinë dhe arrestimet. Top Channel, Panorama, ABC News, Vizion Plus, Balkanweb, Lapsi, Newsbomb, Klan News. Burimi: arkivat e mediave; analiza e autorit.
Studimi i Omar Wasow për SHBA-në e viteve ’60 tregoi se protestat paqësore e vunë kauzën në axhendë dhe i zhvendosën votat drejt protestuesve me rreth 1,6 pikë, ndërsa ato të dhunshme i larguan me 2 deri në 5 pikë. Testi në 21 vende nuk gjeti lidhje të qartë mes dhunës në protesta dhe votës së partisë qeverisëse, por të dhënat janë të pakta për ta përjashtuar.

Rasti i 11-të: Serbia, 2024–2026

Dhe vijmë tek rasti i Serbisë. Pas gati dy vitesh protestash të udhëhequra nga studentët, të nisura nga tragjedia e Novi Sadit, lista e mbështetur prej tyre fitoi 52,5% të votave, kundrejt 39,3% të listës së Vuçiçit, sipas rezultateve paraprake. Asnjë sondazh i fundit nuk e kishte parashikuar mbi 45%. Vuçiçi e pranoi humbjen natën e zgjedhjeve.

Grafiku 4. Serbia 2026: rezultati tejkaloi çdo sondazh

Protestat dhe qeverisja: çfarë tregojnë 10 lëvizje në


Rezultate paraprake të RIK-ut, me 96% të qendrave të votimit të përpunuara. Sondazhi i Ipsos u porosit nga një listë. Burimi: RIK (N1, Tanjug), Rio Times poll tracker.
Një rezultat i vetëm nuk provon asgjë për shkakun. Por tri gjëra bien në sy. Studentët nuk u ndalën te kërkesa për dorëheqje: kryeministri serb dha dorëheqjen në janar 2025, por lëvizja vazhdoi. Ata e shndërruan energjinë e protestës në organizim: asamble, listë kandidatësh të përzgjedhur për integritet, profesionistë të njohur në vend të aktivistëve, mbrojtje të votës dhe fituan me shumicë të madhe, pikërisht kushtin që në të dhënat tona paraprin çdo përmirësim të qartë. Nëse përmirësimi do të zgjasë, do ta tregojnë vitet dhe treguesit e njëjtë.

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë: pesë mendime personale

Sa më sipër janë të dhëna. Sa më poshtë janë interpretime të miat, të frymëzuara prej tyre.

E para. Dorëheqja e Kryeministrit mund të mbetet kërkesa e parë e protestës. Por të dhënat janë të qarta: vetëm dorëheqja nuk ka prodhuar askund përmirësim të qëndrueshëm. Ajo është hapi i parë i domosdoshëm, jo zgjidhja.

E dyta. Që ndryshimi të prekë gjithë klasën politike, pavarësisht se kush qeveris, duhen reforma që garantojnë pavarësinë, stafin dhe fondet e prokurorisë dhe të gjykatave; konfiskimin real, jo sekuestrimin e përkohshëm, të pasurive kriminale; dhe një shoqëri civile të pavarur financiarisht e institucionalisht, pjesë e vendimmarrjes. Por të dhënat tregojnë se institucionet që u dobësuan të parat në Gjeorgji e Serbi nuk ishin gjykatat, por parlamenti. Në Shqipëri, një parlament ku shumica dhe opozita zgjidhen nga lista të mbyllura partiake, e kanë dobësuar aftësinë për ta kontrolluar ekzekutivin. Kjo është kriza e përfaqësimit që studentët e kanë ndier para se t’i vendosnin një emër.

E treta. Në lidhje me varësinë e integrimit në BE nga një forcë politike apo mandat qeverisës, integrimi varet nga puna profesionale e jo partiake e institucioneve e pavarura, jo nga një person. Serbia është kandidate për anëtarësimin në BE që nga 2012, dhe treguesi i saj i lirive ra nga 64 në 50.

E katërta. Lëvizja studentore duhet të shndërrohet në lëvizje politike. Energjitë e fragmentuara që synojnë vetëm largimin e një kryeministri nuk mjaftojnë, dhe ky është ndoshta mësimi më i rëndësishëm i Serbisë gjatë 2024-2026. Shqipëria ka nevojë të madhe për një klasë politike të re dhe për një model me vizion për të ardhmen, të ndryshëm nga oferta e sotme. Kërkesat e studentëve, për arsim cilësor, për punë dhe pagë të denjë për të mos emigruar, tregojnë se ky vizion ekziston. Një lëvizje politike sjell edhe diçka që rruga nuk e jep: përgjegjësi dhe disiplinë. Kur emri yt është në një listë, dhuna nuk është më “rrjedhojë e rrugës“. Studentët serbë e kuptuan këtë: nuk kandiduan vetë, por zgjodhën kandidatë me integritet, dhe ua lanë atyre përgjegjësinë e qeverisjes.

E pesta. Në vlerësimin tim në 36 vjet, Shqipëria ka krijuar kulturën e “drekës falas“: përfitimi personal, marrëdhënia e dobët me të vërtetën dhe shërbimi publik që kalon përmes një komisioni informal (zarfit ose qokës në zhargonin e jetës se përditshme). Lufta me këtë kulturë është po aq e rëndësishme sa kërkesa për dorëheqje e kryeministrit në planin afatshkurtër, dhe më e rëndësishme në afatgjatë. Kjo kulturë krijon tokën pjellore ku rriten drejtuesit autokratë. Nuk kam të dhëna që ta provojnë këtë; kam përvojën e një brezi. Por ka një shenjë: kërkesat e kësaj rinie nuk janë për një vend që ulet në tryezën e kulturës së vjetër, por për të krijuar një tryezë tjetër. Prandaj besoj se transformimi i protestës në lëvizje politike nuk është vetëm taktikë zgjedhore, mënyrë që protesta të lërë pas përmirësim të qëndrueshëm në institucione, jo vetëm një lëvizje emocionale.

Fqinjët na mësojnë se kërkesat e menjëhershme shpesh fitohen. Nëse ndryshimi zgjat, kjo matet pas vitesh, me të njëjtët tregues. Në Serbi matja sapo ka filluar. Në Shqipëri, varet nëse protesta do të mbetet vetëm protestë.

Marrë nga Monitor



Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme