Një raport i fortë kontrolli post-legjislativ i Kuvendit të Shqipërisë, i siguruar nga VNA, ngre alarmin se ligji më i rëndësishëm kundër pasurive të paligjshme çedon rëndë në zbatim, duke rrezikuar që asetet e konfiskuara t'i rikthehen përsëri krimit të organizuar.
Dokumenti zyrtar nxjerr në pah një panoramë ku mekanizmat e shtetit dështojnë në pika kyçe, që nga administrimi i çoroditur e deri te varësia e skajshme nga të dhënat e huaja.
Rreziku i rikthimit të pasurive te krimi dhe dështimi në ankande
Raporti i Kuvendit thekson se kuadri ligjor aktual “e orienton administrimin e pasurisë së konfiskuar drejt shitjes në ankand për sigurimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit”, pa pasur një kontroll të mjaftueshëm paraprak të përfituesve.
Kjo situatë krijon “rrezik që pasuritë të rikthehen në mënyrë të tërthortë tek personat ndaj të cilëve janë zbatuar masat e konfiskimit”.
Për më tepër, mungesa e një regjistri publik transparent dhe mosdhënia e përparësisë së detyrueshme për ripërdorimin social të pronave lë shteg për abuzime të mëtejshme.
Numri i ulët i konfiskimeve dhe hendeku i madh i korrupsionit
Pavarësisht bujës mediatike, raporti dëshmon se masat e konfiskimit përfundimtar mbeten shumë të kufizuara krahasuar me sekuestrimet paraprake.
Ndonëse ekzistojnë shifra të larta për dënimet e zyrtarëve për korrupsion — siç janë dhjetëra persona të dënuar gjatë periudhës 2021-2025 vetëm në Gjykatën e Posaçme sipas nenit 259 të Kodit Penal — “zbatimi i procedurave pasurore parandaluese sipas Ligjit Anti-Mafia për veprat e korrupsionit rezulton tepër i kufizuar, me vetëm një rast të procedimit pasuror të evidentuar”.
Kjo dëshmon se "xhepat" e korrupsionit të lartë shtetëror mbeten kryesisht të paprekur nga goditjet pasurore.
Rrethet në errësirë: Zero kërkesa në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm
Zbatimi i Ligjit Anti-Mafia vuan nga një pabarazi e theksuar gjeografike. Sipas gjetjeve të kontrollit post-legjislativ, “tetë gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm të konsultuara nuk kanë evidentuar kërkesa për sekuestrim ose konfiskim sipas këtij ligji”.
Përqendrimi i gjithë fuqisë vetëm te struktura e posaçme në qendër i lë prokuroritë dhe gjykatat e rretheve plotësisht jashtë loje në luftën kundër pasurive të krimit.
Varësia nga e huaja dhe paaftësia e inteligjencës vendase
Një tjetër tregues dështimi që evidentohet në raport është fakti se “rreth 55% e procedimeve pasurore për veprat penale të nenit 283, 283/a dhe 284/a të Kodit Penal janë nisur mbi bazën e indicieve nga autoritete të huaja”.
Autoritetet shqiptare vazhdojnë të mbeten të varura nga sinjalizimet e partnerëve ndërkombëtarë, ndërkohë që hetimet vendase lëngojnë për shkak të informalitetit ekonomik.
Mit i rremë "autonomia" e procedurës dhe sfidat e reja teknologjike
Edhe pse ligji flet në letër për një procedurë pasurore autonome që nuk varet nga fati i dënimit penal, raporti zbulon se “në të gjitha rastet e evidentuara procedimi pasuror është zhvilluar i lidhur me një procedim penal ekzistues ose me vendime penale të mëparshme”, duke e lënë dimensionin autonom praktikisht të papërdorur.
Kësaj panorame iu shtohen sfidat e reja të kohës: institucionet vuajnë nga mungesa e të dhënave në kohë reale për llogaritë bankare, mungesa e sistemeve të unifikuara statistikore si CAMS, dhe mbi të gjitha, mungesa e një mekanizmi shtetëror për të administruar sfidën e re të aseteve virtuale dhe kriptovalutave.






















