
Opozita kërkoi sot me këmbëngulje praninë e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, për t’i kërkuar shpjegime lidhur me akuzat e Erion Veliajt. Por më vonë, kur ministri u paraqit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm për ta përballur me këto akuza.
Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, mungesa e Gogut shkaktoi debate, që përfunduan me largimin e deputetëve të opozitës nga mbledhja. Deputetja Jorida Tabaku kërkoi shpjegime për pretendimet e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, sipas të cilit ministri kishte shkuar në burgun e Fierit për t’i përcjellë kërcënime në emër të kryeministrit Edi Rama.
Megjithatë, ministri u shfaq më vonë në një tjetër komision parlamentar, ku opozita nuk ishte e pranishme për t’i drejtuar pyetjet që kishte ngritur më herët.
Ndërkohë, Toni Gogu, i akuzuar nga Veliaj se i ka përcjellë ultimatume nga kryeministri, foli pikërisht për garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe aksesin e tyre në drejtësi.
“Një e drejtë që ekziston në ligj, por nuk arrin te njeriu, mbetet një premtim në letër”, deklaroi ministri gjatë prezantimit të buxhetit të drejtësisë për vitin 2027.
Deklarata vjen në një kohë kur Veliaj pretendon se Gogu, gjatë takimit në burgun e Fierit, i ka kërkuar të ndërpresë komunikimin me avokatin e tij, Plarent Ndreca.
Gjatë mbledhjes, ministri njoftoi hapjen e 10 zyrave të reja të Ndihmës Juridike Falas, si dhe rritjen me 66% të buxhetit të Shërbimit të Provës. Ai foli gjithashtu për rehabilitimin e të dënuarve dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Por ndërsa Gogu prezantonte masat për të garantuar aksesin në drejtësi dhe ndihmën juridike falas, në komision mbeti pa përgjigje një pyetje që lidhet drejtpërdrejt me këto të drejta: A i ka kërkuar vërtet ministri një të paraburgosuri të ndërpresë komunikimin me avokatin e tij dhe a ka përcjellë kërcënime në emër të kryeministrit?
Nëse këto pretendime vërtetohen, a do të mbajë përgjegjësi ministri i Drejtësisë?
Paraditja parlamentare përfundoi kështu me dy situata kontradiktore. Opozita kërkoi praninë e ministrit për t’i kërkuar llogari, por nuk e përballi me pyetje kur ai u shfaq në një tjetër komision. Ndërsa Gogu foli për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, pa u përballur aty me akuzat e ngritura ndaj tij nga kryebashkiaku i Tiranës.






















