
Një sulm kibernetik që mund të kishte vënë në rrezik furnizimin me produkte gjaku për pacientët ka goditur Francën. Hakerat kanë ndërhyrë në sistemet e kontrollit të frigoriferëve të Shërbimit Kombëtar të Gjakut, duke tentuar të rrisin temperaturën nga minus 30 gradë Celsius në 110 gradë.
Sulmi ndodhi gjatë natës së 1-2 nëntorit dhe kishte në shënjestër kompaninë Coolworld, përgjegjëse për pajisjet frigoriferike të institucionit francez të gjakut (EFS).
Sipas gazetës franceze Le Canard Enchaîné, autorët arritën të ndryshonin në distancë parametrat e temperaturës në instalimet frigoriferike. Në tre qendra ruheshin mostra gjaku, plazmë për transfuzione dhe produkte të destinuara për prodhimin e barnave.
Ndërhyrja u zbulua nga sistemet e alarmit, pasi një teknik konstatoi rritjen e temperaturës. Personeli ndërhyri duke siguruar dhe zhvendosur produktet e rrezikuara.
Autoritetet franceze konfirmuan se sulmi nuk shkaktoi humbje të produkteve të gjakut dhe se shërbimet e transfuzionit vijojnë normalisht.
Por incidenti ngre një shqetësim serioz për sigurinë e infrastrukturës shëndetësore. Përmes një sulmi informatik, autorët mund të ndërhyjnë jo vetëm në të dhënat e pacientëve, por edhe në pajisjet fizike që ruajnë produkte jetike për trajtimin e tyre.
Sulmi vjen pas një vale ndërhyrjesh të ngjashme në sistemet frigoriferike të supermarketeve në disa vende evropiane, ku ndryshimi i temperaturave shkaktoi dëmtimin e sasive të mëdha të ushqimeve dhe humbje financiare.
Agjencia franceze e sigurisë kibernetike dhe Ministria e Shëndetësisë po hetojnë incidentin. Deri tani nuk janë identifikuar autorët dhe as motivet e sulmit.






















