
Premtimet e qeverisë për zhbllokimin e fondeve IPARD III kanë marrë një tjetër përgjigje negative nga Brukseli. Ndërsa ministrat e qeverisë Rama kanë muaj që njoftojnë se paratë europiane për fermerët do të hapen “shumë shpejt”, Progres-Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 konfirmon se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet për administrimin e tyre. Me sa duket, “faza përfundimtare” e premtuar nga qeveria vazhdon të ketë një fund që nuk po duket.
Vetëm një muaj më parë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, siguronte se procedura e riakreditimit ishte në fazën finale dhe se fondet pritej të zhbllokoheshin së shpejti. Madje, ministrja deklaronte se dokumentacioni i kërkuar ishte dorëzuar dhe problematikat ishin zgjidhur.
Por dokumenti i publikuar këtë të mërkurë nga Komisioni Europian paraqet një situatë më pak optimiste. Sipas raportit, Shqipëria duhet të forcojë ende sistemet e menaxhimit financiar, mekanizmat e kontrollit dhe kapacitetet administrative përpara se t'i besohet administrimi i fondeve IPARD III.
Pra, ndërsa në Tiranë problematikat shpallen të zgjidhura, në Bruksel vazhdojnë të renditen detyrat që duhen përmbushur.
Dhe Ibrahimaj nuk është e vetmja që ka shpërndarë optimizëm për fondet europiane. Përpara saj, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaronte në shkurt se fondet do të zhbllokoheshin brenda qershorit dhe aplikimet do të nisnin në gjysmën e dytë të vitit. Në mars, pas një vizite në Bruksel, fliste për progres, ndërsa në korrik e cilësonte procesin në fazën përfundimtare të vlerësimit.
Qershori kaloi, vera përfundoi, tetori iku dhe tashmë edhe nëntori ka mbërritur. Fondet, megjithatë, mbeten të bllokuara. Në kalendarin e premtimeve qeveritare, IPARD III duket se do ngel tek fjalia “shumë shpejt”.
Progres-Raporti evidenton se autoritetet shqiptare kanë paraqitur dy kërkesa për marrjen e përgjegjësisë së administrimit të fondeve, më 1 prill dhe 18 qershor 2026. Megjithatë, Komisioni Europian kërkon ende përmbushjen e parakushteve për menaxhimin e shëndoshë financiar, forcimin e kontrolleve dhe kapaciteteve administrative.
Sipas raportit, regjistri i fermave nuk është përafruar plotësisht me kërkesat europiane, ndërsa sistemi i identifikimit të parcelave bujqësore vazhdon të jetë në zhvillim. Komisioni kërkon gjithashtu forcimin e mekanizmave për parandalimin, zbulimin dhe raportimin e parregullsive financiare.
Këto kërkesa marrin një rëndësi të veçantë pas skandalit të IPARD II, që çoi në ndërprerjen e rimbursimeve në korrik 2023. Hetimet e Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, evidentuan parregullsi serioze në administrimin e fondeve gjatë periudhës kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga Frida Krifca.
Në hetim u konstatuan problematika që lidheshin me konkurrimin e manipuluar, ofertat e rreme, çmimet e fryra dhe praktika të dyshimta në përfitimin e granteve. OLAF rekomandoi që 33 milionë euro të IPARD II të mos njiheshin si shpenzime të rregullta, ndërsa fondet e programit pasardhës të mos viheshin në dispozicion pa korrigjimin e mangësive.
Ndërsa përgjegjësitë penale për parregullsitë e konstatuara mbeten për t'u përcaktuar nga drejtësia, pasojat e pezullimit të financimeve vijojnë të rëndojnë mbi sektorin bujqësor.
Vetëm IPARD III parashikon 146.4 milionë euro financim publik, nga të cilat 112 milionë euro janë kontribut i Bashkimit Europian dhe 34.4 milionë euro bashkëfinancim nga buxheti shqiptar. Janë fonde të programuara për modernizimin e fermave, përpunimin e produkteve bujqësore dhe zhvillimin rural, por që ende nuk janë vënë në dispozicion përmes programit të ri.
Nga Andis Salla te Delina Ibrahimaj, deklaratat kanë ndryshuar muajt, por jo përmbajtjen. Fermerët kanë dëgjuar për progres, faza finale dhe zhbllokime të afërta, ndërsa Brukseli vazhdon të kërkojë plotësimin e kushteve.
Fermerëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të dëgjojnë premtimet e ministrave për IPARD III dhe të luten që një ditë fondet të mbërrijnë.






















