Bota 4 November 2026, 18:12 Nga VNA

“Tsunami blu” në SHBA, demokratët marrin Kongresin dhe rrëzojnë bastionet republikane, Trump pëson goditjen e madhe

Ndaje në Whatsapp
“Tsunami blu” në SHBA, demokratët marrin Kongresin dhe

Demokratët kanë shënuar një fitore të rëndësishme në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke marrë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit dhe duke fituar disa gara kyçe për guvernatorë, përfshirë në shtete që prej dekadash konsideroheshin bastione republikane. Rezultati përbën një goditje të fortë politike për presidentin Donald Trump dhe administratën e tij, ndërsa vala blu e paralajmëruar gjatë fushatës u shndërrua në një fitore të gjerë për demokratët.

Sipas rezultateve të raportuara deri pasditen e së mërkurës, demokratët kanë siguruar të paktën 54 vende në Senat, duke rimarrë shumicën në dhomën e lartë, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kaluar pragun prej 218 mandatesh dhe kanë arritur në 229 vende. Republikanët kanë mbetur me 139 vende, ndërkohë që numërimi vijon në disa zona dhe rezultati përfundimtar pritet të përcaktojë përmasat e plota të epërsisë demokrate. 

Humbjet republikane janë shtrirë edhe në garat për guvernatorë. Një prej rezultateve më të bujshme është ai në Teksas, ku demokratja Gina Hinojosa ka mundur guvernatorin republikan Greg Abbott, duke i dhënë fund kontrollit republikan në këtë shtet pas rreth tri dekadash. Ndërkohë, në Xhorxhia, Keisha Lance Bottoms ka fituar garën, duke u bërë gruaja e parë afro-amerikane në krye të këtij shteti. Sipas bilancit paraprak të ANSA-s, nga 31 gara për guvernatorë të shpallura deri në atë moment, demokratët kishin fituar 17 shtete, ndërsa republikanët 12; shtatë gara të tjera vijonin të ishin të hapura. 

Rezultati është interpretuar si një reagim i votuesve ndaj politikave të Trump, veçanërisht për shkak të shqetësimeve mbi rritjen e kostos së jetesës dhe luftën me Iranin. Zëvendëspresidenti JD Vance e pranoi publikisht se konflikti me Teheranin dhe mungesa e vëmendjes ndaj problemeve ekonomike kanë ndikuar në humbjen e republikanëve. “Arsyeja e vërtetë pse humbëm është lufta”, shkroi ai në rrjetin X, duke shtuar se çdo diskutim serioz për hapat e ardhshëm duhet të nisë pikërisht nga ky fakt. 

Nga ana tjetër, kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, deklaroi se periudha kur Senati mbështeste pa kundërshtime vendimet e Trump ka përfunduar. Ai paralajmëroi se demokratët do të përdorin shumicën e re për të ushtruar presion mbi administratën dhe për t'i dhënë fund luftës në Iran, si dhe për të ulur kostot për qytetarët amerikanë. 

Trump ka deklaruar se e pranon rezultatin e votimit, por reagimi i tij u shoqërua edhe me një mesazh sfidues. Pas humbjes, ai publikoi një fotografi me një kapele të stilit “MAGA”, ku shkruhej “Veto”, duke lënë të kuptohet se do të përdorë të drejtën presidenciale të vetos ndaj nismave që nuk do të mbështesë. Shtëpia e Bardhë publikoi gjithashtu një fotografi të presidentit me mbishkrimin: “Njoftim për të gjithë: Ai është ende presidenti juaj”. 

Fitorja demokrate pritet të ndryshojë ndjeshëm raportet e forcave në Uashington. Me kontrollin e Kongresit, demokratët do të kenë mundësi të pengojnë nisma të administratës, të shqyrtojnë emërimet presidenciale dhe të nisin hetime parlamentare ndaj veprimtarisë së qeverisë. Megjithatë, Trump do të vijojë të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa përplasjet mes presidentit dhe Kongresit pritet të shënojnë pjesën e mbetur të mandatit të tij. 

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme