Bota 4 November 2026, 19:10 Nga VNA

Vance pranon përgjegjësinë për humbjen e republikanëve: Arsyeja është lufta me Iranin

Ndaje në Whatsapp
Vance pranon përgjegjësinë për humbjen e republikanëve:

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka bërë një deklaratë të drejtpërdrejtë pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, duke ia atribuar rezultatin kryesisht luftës me Iranin. Në një reagim të gjatë në rrjetin social X, ai pranoi se konflikti ka kushtuar politikisht partisë dhe se çdo analizë për humbjen duhet të nisë pikërisht nga kjo çështje.

“Arsyeja pse humbëm është lufta. Vetë presidenti e tha këtë mbrëmë”, shkroi Vance, duke iu referuar deklaratave të Donald Trumpit pas zgjedhjeve. Zëvendëspresidenti u bëri thirrje republikanëve të mos shmangin përgjegjësinë dhe të mos kërkojnë shpjegime të tjera për rezultatin, pa pranuar më parë ndikimin e konfliktit me Teheranin.

Vance sfidoi edhe ata brenda partisë që mendojnë se ndërhyrja ushtarake ia ka vlejtur, pavarësisht kostos elektorale. “Nëse dëshironi të argumentoni se ia vlejti, se humbja e Senatit për gjashtë vitet e ardhshme ishte një çmim që ia vlente të paguhej, atëherë bëjeni këtë. Pajtohuni ose jo, të paktën kjo është e sinqertë”, deklaroi ai. Sipas tij, çdo diskutim serioz për drejtimin e ardhshëm të republikanëve duhet të nisë me pranimin e rolit që lufta pati në humbjen e tyre. 

Në mesazhin e tij, zëvendëspresidenti u ndal edhe te votuesit që kishin paralajmëruar më herët kundër politikave të Trumpit. “Për ata që janë të zemëruar dhe duan të thonë: ‘Ju thashë unë’, keni të drejtë, na e kishit thënë”, shkroi Vance, duke i nxitur të përdorin këtë energji për të mbështetur kandidatë republikanë që ndajnë të njëjtin botëkuptim me ta.

Ai iu drejtua edhe mbështetësve të zhgënjyer nga rezultati, duke u kërkuar që zemërimin ta kthejnë në motivim për të ardhmen. “Le ta shndërrojmë këtë zemërim në motivim për t’iu rikthyer punës për shpëtimin e vendit tonë”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se mbetet “shpresëplotë” për të ardhmen.

Reagimi i Vance vjen pas një disfate të gjerë të republikanëve, me demokratët që kanë siguruar kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan. Sipas rezultateve të raportuara më 4 nëntor, demokratët kanë siguruar 54 vende në Senat, kundrejt 44 të republikanëve, ndërsa dy gara mbeten ende pa rezultat përfundimtar. Shifra e demokratëve përfshin edhe dy senatorë të pavarur që votojnë me ta. Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët kanë siguruar 228 mandate, ndërsa republikanët 139, me numërimin që vijon në disa zona. 

Deklarata e zëvendëspresidentit nxjerr në pah përplasjet që pritet të pasojnë brenda kampit republikan për shkaqet e humbjes dhe drejtimin që duhet të marrë administrata Trump. Ndërsa Vance e cilëson luftën me Iranin si shkakun kryesor, rezultatet e sondazheve pas votimit tregojnë se edhe kostoja e jetesës dhe shqetësimet për korrupsionin kanë qenë ndër çështjet kryesore për votuesit amerikanë.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme