Politika 4 November 2026, 18:48 Nga VNA

Vijon seriali “Rama-Veliaj” në Netflix-in e politikës shqiptare: Kryebashkiaku nxjerr letrën e radhës nga burgu

Ndaje në Whatsapp
Vijon seriali “Rama-Veliaj” në Netflix-in e politikës

Seriali Rama-Veliaj vijon me një episod të ri. Kryebashkiaku i Tiranës ka nxjerrë nga burgu i Fierit një tjetër letër, këtë herë me përgjigjet që pretendon se i ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë takimit të tyre. Akuzat ndaj Edi Ramës shkojnë nga shantazhi dhe izolimi politik deri te pretendimi se kryeministri negocion me prokurorët për numrin e akuzave dhe vitet e dënimit të tij.

“E kuptoj që je veç lajmësi, jo autori – s’të vë faj ty, mbetesh miku im, pavarësisht rolit”, i drejtohet Veliaj Gogut.

Më tej, kryebashkiaku akuzon Ramën se qëndron pas transferimit të tij në Fier dhe se po përpiqet ta izolojë nga familja.

“Turp që KM merret vetë me internimet”, shkruan ai, ndërsa ngre një akuzë të rëndë: “Çfarë ‘nderi’ duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr?”

Veliaj pretendon se i është përcjellë edhe një kërcënim që lidhet me familjen: “Ç’a dmth hera e fundit si baba? Kërcënim?”

Në letër ai mohon të jetë organizator apo financues i protestave të lëvizjes “Flamingo” dhe studentëve, ndërsa ironizon pretendimet se nga burgu mund të organizojë rrëzimin e rendit kushtetues.

“Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA”.

Kryebashkiaku kujton kontributin e tij në Partinë Socialiste, protestën e 21 janarit, grevën e urisë dhe kohën kur Rama ishte në opozitë, duke sulmuar ministrat aktualë që, sipas tij, nuk kanë bërë asnjë ditë opozitë.

“Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet nuk më përkulni dot. Ta harrojë R”, është mesazhi i tij për kryeministrin.

Ujku qimen e ndërron, por zakonin jo. Edhe nga burgu, Veliaj nuk e harron propagandën për Bashkinë e Tiranës. Pretendon se gjatë delegimit të drejtimit nuk u ndërtua asnjë shkollë, nuk u mboll asnjë pemë dhe nuk pati investime, ndërsa me rikthimin e tij u zhbllokuan gjashtë shkolla dhe 1500 kredi të buta. Përtej këtij bilanci që ia faturon vetes, mesazhi për Ramën është i prerë: “Nuk e delegoj BT”.

Në pjesën e fundit, Veliaj mbron marrëdhënien me avokatin Plarent Ndreca dhe akuzon bashkëpunëtorët politikë se e kanë braktisur.

“20 muaj s’më latë asnjë këshilltar tjetër. Ti vetë vjen pas 2 vjetësh. Me kë të këshillohem unë? Me muret?”, shkruan ai.

Sipas Veliajt, takimi me Gogun ka përfunduar në mesnatë. Ministri i ka sjellë dy libra dhe është larguar me drejtorin e burgut, ndërsa kryebashkiaku është kthyer në qeli me paterica.

“I urova të mira e të fala, po nuk pranoj afera të paligjshme”, përfundon letra.

Përplasja Rama-Veliaj tashmë ka kaluar nga akuzat politike te pretendimet për ndërhyrje në drejtësi, kërcënime dhe përdorimin e burgut si instrument presioni. Akuza ende të paprovuara, por mjaftueshëm të rënda për të kërkuar përgjigje.

Seriali vazhdon. Vetëm se këtë herë skenari nuk është thjesht çështje politike. Në mes janë edhe prokurorët, burgu dhe një ministër Drejtësie që, sipas Veliajt, ka marrë rolin e postierit të kryeministrit.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme