Rachel Apa, një 24-vjeçare amerikane, humbi jetën gjatë Maratonës së Nju Jorkut, më 1 nëntor, vetëm pak kilometra përpara vijës së finishit. E reja, ish-sportiste universitare dhe në gjendje shumë të mirë fizike sipas familjes, u rrëzua papritur në Central Park, pasi kishte përshkuar rreth 39 kilometra.
Rachel po merrte pjesë për herë të parë në një maratonë. Ajo vraponte për të mbledhur fonde në ndihmë të të prekurve nga sëmundja e Parkinsonit, në kujtim të gjyshit të saj, i cili kishte vuajtur nga kjo sëmundje.
Historia e saj është bërë edhe më prekëse pas publikimit të mesazheve të fundit që kishte shkëmbyer me të atin, Steve Apa.
Në kilometrat e parë të garës, Rachel i kishte shkruar: “Ndihem mrekullueshëm. Nuk jam ndier kurrë kaq mirë”.
I ati e kishte paralajmëruar të mos e tepronte me sforcimin, duke i kujtuar se ishte maratona e saj e parë.
Por pas kilometrës së 29-të, mesazhet ndryshuan. Rachel nisi të ankohej për dhimbje, ndërsa i ati vazhdonte ta këshillonte të ulte ritmin.
Pak përpara fundit, ai i shkroi sërish, por këtë herë nuk mori përgjigje.
Sipas NBC News, 24-vjeçarja u rrëzua pranë kilometrës së 39-të. Një spektator nisi menjëherë përpjekjet për ta rikthyer në jetë, ndërsa ekipi mjekësor i garës përdori edhe defibrilatorin. Rachel u transportua në spitalin Mount Sinai, ku ndërroi jetë disa orë më vonë.
Babai i saj deklaroi se mjekët ia kishin atribuuar vdekjen rabdomiolizës, një gjendje e rëndë që shkakton shpërbërjen e shpejtë të muskujve dhe çlirimin e substancave që mund të dëmtojnë veshkat dhe zemrën. Megjithatë, zyra e mjekësisë ligjore në Nju Jork vijonte hetimin për përcaktimin zyrtar të shkakut të vdekjes.
Rachel kishte qenë sportiste e hokejit në fushë në Universitetin Bucknell dhe kishte nisur studimet master. Familja e përshkroi si një vajzë energjike, që ishte vazhdimisht në lëvizje dhe kërkonte sfida të reja.
Ajo kishte nisur maratonën për të nderuar kujtimin e gjyshit, por nuk arriti të kalonte vijën e finishit.






















