Barcelona nuk ka hequr dorë nga ideja për të transferuar Alessandro Bastonin dhe po punon për të bindur mbrojtësin e Interit që të transferohet në “Camp Nou”. Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, drejtuesit katalanas kanë vijuar kontaktet me përfaqësuesit e futbollistit 27-vjeçar, duke synuar të hedhin hapa konkretë për realizimin e marrëveshjes.
Bastoni thuhet se ka rënë më parë dakord për kushtet personale me Barcelonën, me një kontratë që do ta mbante në Spanjë deri në vitin 2031. Megjithatë, italiani kërkon fillimisht garanci nga trajneri Hansi Flick për rolin që do të ketë në skuadër, përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij dhe të rihapë negociatat për transferimin.
Në anën tjetër, Interi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga një prej shtyllave të mbrojtjes. Klubi zikaltër e vlerëson kartonin e Bastonit rreth 70 milionë euro dhe i ka propozuar një kontratë të re për ta mbajtur në Milano. Oferta e parë është refuzuar nga futbollisti, çka ka shtuar pikëpyetjet mbi vazhdimësinë e tij te nkampionët italianë.
Barcelona po e ndjek me kujdes situatën, pasi e sheh Bastonin si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv dhe një element që mund t’i japë më shumë cilësi ndërtimit të lojës nga prapavija. Tashmë mbetet të shihet nëse katalanasit do të paraqesin një ofertë zyrtare dhe nëse garancitë e kërkuara nga mbrojtësi do ta afrojnë atë me një aventurë të re në La Liga.






















