Nëntë persona, mes tyre tetë efektivë policie dhe një ish-punonjës i Policisë serbe, janë arrestuar këtë të mërkurë, më 4 nëntor, nën dyshimin se kanë torturuar dhe keqtrajtuar studentë gjatë protestave kundër pushtetit në Beograd, në gusht të vitit 2025.
Mes të arrestuarve është edhe Igor Žmirić, komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ), një prej strukturave më të rëndësishme të sigurisë në Serbi.
Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, ngjarja ka ndodhur natën mes 14 dhe 15 gushtit 2025, në garazhin nëntokësor të godinës së qeverisë, në rrugën Nemanjina të Beogradit.
Hetimet kanë ngritur dyshime se efektivët kanë përdorur dhunë fizike dhe kërcënime ndaj disa personave, duke u shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të rënda, me qëllim marrjen e informacioneve, frikësimin dhe ndëshkimin e tyre në mënyrë të paligjshme.
Çështja lidhet me denoncimet e studentes Nikolina Sinđelić dhe kolegëve të saj, të cilët pretenduan se ishin dërguar me forcë në garazhin e qeverisë dhe ishin dhunuar nga policët. Sinđelić kishte akuzuar publikisht edhe komandantin Žmirić se e kishte goditur me shqelma ndërsa ndodhej e shtrirë në dysheme.
Arrestimet janë kryer me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore të Beogradit. Nëntë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe pritet të dalin përpara prokurorisë.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të dy drejtuesve të tjerë të lartë të policisë serbe, Marko Kriçak dhe Boško Sekulović, të dyshuar për shpërdorim detyre. Kriçak përballet gjithashtu me dyshime për keqtrajtim dhe torturë në një çështje tjetër.






















