
Prishtina është rikthyer të shtunën, më 31 tetor, në protestë për vrasjen e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pasi kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet. Qytetarë dhe aktivistë kanë marshuar për të katërtën ditë me radhë, duke kërkuar jo vetëm drejtësi për viktimën, por edhe përgjegjësi nga zyrtarët që, sipas tyre, nuk vepruan për të parandaluar krimin.
Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti”, nga ku pjesëmarrësit marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ndërtesës së Qeverisë. Mes thirrjeve për drejtësi, protestuesit kërkuan që vrasja e grave, e njohur si femicid, të trajtohet si urgjencë kombëtare.
“Kërkojmë drejtësi për Arlindën dhe për gratë e vrara. Kërkojmë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare”, deklaroi një aktiviste në emër të protestuesve.
Në qendër të kërkesave ishte shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqja e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Protestuesit kërkuan gjithashtu ndjekjen penale të zyrtarëve të drejtësisë që kanë trajtuar denoncimet e viktimës.
Revolta është përqendruar te mënyra se si institucionet kishin trajtuar paralajmërimet e Arlinda Zekajt për dhunën dhe kërcënimet ndaj saj. Vetëm tri ditë përpara se të vritej, ajo i kishte drejtuar një letër kryeprokurores së Pejës, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është arrestuar nga policia. Ndërkohë, ish-bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, ishte ndaluar për dyshime lidhur me kanosjen dhe mosrespektimin e urdhrit mbrojtës.
Pas ngjarjes, institucionet kanë ndërmarrë disa masa administrative. Janë pezulluar 11 zyrtarë policorë, kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja që merrej me rastin. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen.
Por këto masa nuk kanë mjaftuar për të ndalur protestat. Aktivistët kërkojnë hetim të plotë të përgjegjësive institucionale, sigurimin e banimit social për gratë që i kanë mbijetuar dhunës në familje, veting të pavarur në sistemin e drejtësisë dhe legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje.

Protesta janë zhvilluar edhe në Pejë, Ferizaj dhe Mitrovicë, ndërsa Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar vazhdimin e tubimeve.
Organizatorët kanë bërë thirrje për një tjetër protestë të dielën, më 1 nëntor, në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka rikthyer në qendër të debatit publik në Kosovë një pyetje që protestuesit ua drejtojnë institucioneve: çfarë vlere kanë denoncimet dhe urdhrat e mbrojtjes, nëse një grua që paralajmëron se jeta e saj është në rrezik, përfundon e vrarë?






















