Sali Berisha ka zbuluar një grup të ri armiqësor, këtë herë brenda protestës së “Flamingove”. Kreu i PD-së akuzon një grup organizatorësh se kanë punuar për Edi Ramën, me qëllim shkatërrimin e protestës dhe zëvendësimin e opozitës së vërtetë.
Shkaku i gjithë kësaj tradhtie, sipas Berishës, ishte slogani “Rama në burg, Berisha në burg”.
“Për koincidencë fatale, flamingon e kapën për fyti. E kapën për fyti me sloganin sine qua non ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Me këtë slogan, këta besëprerë në zbatim të projekteve të Edi Ramës dhe të tjerëve, menduan se skenari serb i zëvendësimit të opozitës së vërtetë […] donin ta arkivonin.”
Berisha nuk u mjaftua me kaq:
“Ata të cilët mbërthyen flamingon për fyti, ata meritojnë të kualifikohen në rrafshin social dhe psikologjik si vrasësit më barbarë.”
Dhe shpalli edhe armikun e ri:
“Partia Demokratike ka një qartësi shumë të madhe dhe denoncon me forcë këtë grup makbethian që në zbatim të porosive të Edi Ramës ndërmori akte të tilla.”
Për Berishën, protesta ishte historike, pjesëmarrja e PD-së vendimtare, por kërkesa që edhe ai të shkonte në burg ishte pjesë e një komploti kundër opozitës.






















