Shoqërimi me forcë i dy aktivistëve, Edison Lika dhe Dritan Goxhaj, ka shkaktuar përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë mbrëmjen e kësaj të mërkure përpara Kryeministrisë. Ngjarja nisi pasi efektivët u vendosën gjoba dy aktivistëve për zhvillimin e një tubimi të konsideruar të paligjshëm. Lika dhe Goxhaj refuzuan të pranonin fletët e gjobave, ndërsa policia ndërhyri për t’i shoqëruar me forcë.
Ky veprim shkaktoi reagimin e protestuesve, të cilët u përpoqën të pengonin largimin e furgonit të policisë. Një grup vajzash, të ndihmuara edhe nga djemtë, krijuan një “gardh” njerëzor përpara mjetit policor, në përpjekje për të ndaluar shoqërimin e dy aktivistëve. Situata u përshkallëzua në përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa policia përdori edhe spraj me piper.
Si pasojë, disa vajza patën shqetësime shëndetësore dhe përfunduan në ambulancë, ku morën ndihmën e nevojshme mjekësore. Episodet e tensionuara u regjistruan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Pas shoqërimit të Likës dhe Goxhajt, protesta është zhvendosur përpara Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë. Studentët dhe qytetarët kërkojnë lirimin e dy aktivistëve, ndërsa vijojnë tubimin përpara institucionit ku ata janë shoqëruar.






















