
Vdekja e 53-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë ka marrë një tjetër drejtim hetimor, pasi ekspertiza mjekoligjore ka ngritur dyshime se ai mund të jetë vrarë me armë zjarri dhe jo si pasojë e sulmit nga një ari, siç u raportua fillimisht.
Ngjarja ndodhi më 3 nëntor, në zonën e Bulqizës, ku 53-vjeçari kishte dalë në mal për të kullotur dhitë. Sipas informacioneve paraprake, ai kishte arritur të kthehej në banesë i plagosur, ndërsa familjarët kërkuan ndihmë mjekësore, duke deklaruar se dyshohej të ishte sulmuar nga një kafshë e egër.
Pas njoftimit nga Spitali i Bulqizës, shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor mbërritën në vendngjarje, ku konstatuan se 53-vjeçari kishte humbur jetën.
Trupi i viktimës u transportua në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për ekzaminime të mëtejshme. Gjatë ekspertizës dyshohet se është konstatuar një plagë e shkaktuar nga armë zjarri, si dhe një predhë plumbi në pjesën e kraharorit.
Ky zbulim ka ndryshuar rrjedhën e hetimeve, duke bërë që autoritetet të përqendrohen edhe në pistën e një vrasjeje të mundshme.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka shoqëruar 11 persona për t'i marrë në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, Prokuroria dhe grupi hetimor po vijojnë veprimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, si dhe për të identifikuar personat që mund të jenë të përfshirë në ngjarje.
Pista e vrasjes mbetet ende nën hetim, ndërsa pritet që rezultatet përfundimtare të ekspertizës dhe veprimet hetimore të sqarojnë rrethanat në të cilat humbi jetën 53-vjeçari.






















