Bota 4 November 2026, 21:46 Nga VNA

Zelensky nderon Melania Trump me një nga dekoratat më të larta të Ukrainës pas armëpushimit në Oleshky

Ndaje në Whatsapp
Zelensky nderon Melania Trump me një nga dekoratat më të larta

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i ka dhënë Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, një nga dekoratat më të larta të vendit për gratë, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e saj humanitare dhe përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Ukrainë.

Sipas dekretit presidencial, Melania Trump është nderuar me Urdhrin e Princeshës Olha, Klasi i Parë, për kontributin e saj të rëndësishëm në mbështetjen humanitare të popullit ukrainas.

Ky vlerësim vjen pas një armëpushimi të përkohshëm në rajonin jugor të Khersonit, i cili bëri të mundur evakuimin e disa qindra civilëve nga qyteti Oleshky, që ndodhet nën kontrollin rus.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se Melania Trump kishte ndërmarrë personalisht nismën për të vendosur kontakte mes palëve ruse dhe ukrainase, duke ndihmuar në arritjen e marrëveshjes për armëpushim.

Sipas administratës amerikane, kjo përbën një nismë të pazakontë diplomatike për një Zonjë të Parë të Shteteve të Bashkuara.

Edhe përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës e kanë falënderuar Melania Trump për rolin e saj në këtë marrëveshje, megjithëse nuk kanë dhënë hollësi për mënyrën se si ajo ka ndërmjetësuar.

Përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës do të takohen të enjten në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të Melania Trump. Në takim pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të të drejtave të njeriut nga të dyja vendet.

Delegacioni ukrainas do të përfshijë Avokatin e Popullit, Dmytro Lubinets, dhe deputetin Davyd Arakhamia. Nga pala ruse pritet të marrin pjesë Yana Lantratova dhe zyrtari i lartë Kirill Dmitriev.

Qëllimi i takimit është vazhdimi i kontakteve mes palëve pas evakuimit të civilëve dhe diskutimi i hapave të mëtejshëm për uljen e tensioneve.

Melania Trump pritet gjithashtu të mbajë një fjalim në Shtëpinë e Bardhë lidhur me armëpushimin në Oleshky.

Një tjetër arsye për dekorimin e saj është angazhimi për fëmijët ukrainas të prekur nga lufta. Melania Trump ka mbështetur përpjekjet për kthimin e fëmijëve ukrainas që janë dërguar në Rusi, në mënyrë që ata të ribashkohen me familjet e tyre.

Sipas autoriteteve ukrainase, rreth 20 mijë fëmijë janë dërguar në mënyrë të paligjshme në Rusi dhe Bjellorusi që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.

Ndërkohë, përfaqësues të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara pritet të zhvillojnë javën e ardhshme një takim trepalësh në Abu Dhabi. Bisedimet do të përqendrohen te siguria pas luftës dhe mundësitë për uljen e tensioneve mes Moskës dhe Kievit.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme