Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Opinion”, ka zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke u ndalur te dyshimet për pasuri të fshehura, dy vila në jug të vendit dhe një fotografi që tregon një kuti me para, e cila dyshohet se është shkrepur në një prej vilave të lidhura me ish-zyrtaren.
Lala theksoi se një nga vështirësitë kryesore me të cilat përballen prokurorët është fakti që Kuvendi nuk miratoi heqjen e imunitetit të Ballukut, çka, sipas saj, ka bërë që hetimet të mbeten të cunguara.
Sipas gazetares, për shkak të kësaj pengese, prokurorët nuk kanë mundur të kryejnë kontrolle të plota dhe të sekuestrojnë apo të këqyrin pajisje elektronike, si telefonat celularë dhe laptopët, të cilat mund të përmbanin të dhëna me rëndësi për hetimin.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes, sipas Lalës, është fotografia e një kutie me para, e cila ka dalë nga komunikimet mes pastrueses së një vile dhe bashkëshortit të saj.
Gazetarja shpjegoi se fotografia është dërguar nga bashkëshorti i pastrueses dhe, sipas dyshimeve të prokurorëve, është realizuar në një vilë që ata e lidhin me Ballukun.
Megjithatë, Lala theksoi se kjo mbetet një nga sfidat më të mëdha të organit të akuzës, pasi prokurorët duhet të provojnë përpara gjykatës jo vetëm vendndodhjen e parave, por edhe se kujt i përkasin ato.
Duke u ndalur te hetimet pasurore, Lala bëri të ditur se pas një sërë verifikimesh, prokurorët kanë orientuar hetimet drejt pasurive që dyshojnë se janë të fshehura dhe që mund të lidhen me ish-zëvendëskryeministren.
Në qendër të këtyre dyshimeve janë dy vila në jug të vendit, të cilat nuk rezultojnë të regjistruara në emër të Belinda Ballukut, por në emër të Igli Tares, i cili, sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja, akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas Lalës, prokurorët po mbështeten në një sërë të dhënash, përfshirë informacionet që lidhen me familjarët, komunikimet telefonike dhe mesazhet e shkëmbyera mes personave të përfshirë në hetim, për të zbuluar nëse pasuritë në fjalë kanë lidhje reale me Ballukun.






















