Donald Trump nuk merr asnjë përgjegjësi për humbjen e rëndë të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Një ditë pasi demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan, presidenti deklaroi se nuk kishte asnjë pendesë për mënyrën se si kishte zhvilluar fushatën elektorale.
I pyetur nga një gazetar nëse ishte penduar për mënyrën se si e kishte mbyllur fushatën, gjatë së cilës kishte zhvilluar dhjetëra mitingje në mbështetje të kandidatëve republikanë, Trump u përgjigj:
“Jo. Po të kisha qenë unë në fletën e votimit, do të kishim fituar. I patë njerëzit, mitingjet ishin plot. Mijëra e mijëra njerëz në çdo tubim. Po të isha unë në garë, do të kishim fituar. Kishte aq shumë dashuri në ato mitingje, ishte e pabesueshme. Nuk arritëm ta transferonim atë dashuri te kandidatët.”
Deklarata u bë të mërkurën, më 4 nëntor, gjatë një daljeje para gazetarëve pranë kantierit të ndërtimit të sallës së re të ballove në Shtëpinë e Bardhë.
Demokratët kanë fituar edhe në shtete tradicionalisht republikane, përfshirë Teksasin, Kansasin dhe Karolinën e Jugut. Pakënaqësia për koston e jetesës, luftën me Iranin dhe korrupsionin ka qenë ndër faktorët kryesorë të votës kundër republikanëve.
Por Trump nuk duket i shqetësuar as për mundësinë që shumica e re demokrate të nisë procedura për shkarkimin e tij.
“Absolutisht aspak”, u përgjigj ai kur u pyet nëse i trembej një procesi të tillë.
Sipas presidentit amerikan, një përpjekje për ta shkarkuar do të shkatërronte vetë Partinë Demokratike.
Kështu, ndërsa republikanët numërojnë mandatet e humbura dhe demokratët përgatiten të marrin kontrollin e Kongresit, Trump ka një shpjegim për disfatën: ai nuk ishte vetë kandidat në këto zgjedhje.






















