Katër kursantë të tjerë të Akademisë së Sigurisë kanë përfunduar në spital mbrëmjen e djeshme, pasi shfaqën simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke. Më herët, të enjten, 31 kursantë të tjerë ishin shtruar për ndihmë mjekësore me të njëjtat simptoma.
Në total, numri i të prekurve nga episodi i dyshuar i helmimit ka shkuar në 60. Dyshohet se shkak është ushqimi i konsumuar në mensën e Akademisë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas ngjarjes, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndërhyri për të kryer verifikimet dhe analizat e nevojshme.
Rasti rikthen në vëmendje një episod të ngjashëm të ndodhur më 19 maj, kur 56 kursantë të Akademisë së Sigurisë u helmuan po pas konsumimit të ushqimit të së njëjtës kompani. Analizat zyrtare të asaj kohe konstatuan praninë e E. coli dhe stafilokokut në ushqim, ndërsa kompania u bllokua përkohësisht nga AKU, për t’u rikthyer më pas në aktivitet.
Deri tani nuk ka asnjë masë nga Prokuroria për ngjarjen e parë dhe nuk është bërë publik asnjë informacion mbi ecurinë e atij hetimi, ndërsa tashmë autoritetet po hetojnë edhe episodin e ri të helmimit.






















