Dy muaj më parë u helmuan 56 kursantë të Akademisë së Sigurisë. Analizat zyrtare konstatuan se një mostër makaronash ishte e kontaminuar me Escherichia coli dhe stafilokok. AKU bllokoi aktivitetin e kompanisë “SORI-AL”, vendosi gjobë 1.5 milionë lekë dhe pranoi shkelje të standardeve të sigurisë ushqimore. Pak ditë më vonë, aktiviteti u zhbllokua pasi analizat e higjienës ambientale rezultuan brenda normave.
Sot, për herë të dytë brenda pak muajsh, dhjetëra kursantë të tjerë kanë përfunduar në spital me simptoma të ngjashme. Hetimet sapo kanë nisur dhe mbetet të përcaktohet zyrtarisht shkaku i këtij episodi.
Po gjatë gjithë këtyre javëve, çfarë ndodhi?
Prokuroria e Përgjithshme, e drejtuar nga Olsian Çela, a hapi një hetim të plotë për të verifikuar nëse kishte përgjegjësi penale për helmimin masiv të parë? A u identifikuan përgjegjësit dhe a u morën masa për të parandaluar përsëritjen?
Çfarë bëri Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Blerina Gjylameti, përtej bllokimit të përkohshëm dhe më pas zhbllokimit të aktivitetit? A u vendos një regjim i posaçëm kontrolli për një operator që furnizon institucione kaq të ndjeshme?
Ndërkohë, kompania “SORI-AL”, në pronësi të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jaka, vazhdoi të mbajë kontratat publike për furnizimin me ushqim të institucioneve shtetërore.
Nëse edhe hetimi i dytë provon probleme me ushqimin, atëherë nuk do të flitet më për një incident të izoluar, por për një dështim serioz të sistemit të kontrollit, ku alarmi u dha që në maj, por nuk prodhoi masa që ta pengonin përsëritjen e ngjarjes.






















