
Bashkia e Vlorës duket se ka gjetur një mënyrë mjaft "kreative" për të menaxhuar buxhetin e taksapaguesve, duke u fokusuar në projekte që ngjasojnë më shumë me investime për resorte luksoze sesa me zgjidhjen e problemeve emergjente të një qyteti bregdetar. Pas eksperimenteve të kushtueshme me menaxhimin e faunës urbane, ku trajtimi i qenve të rrugës arriti shifrën mbresëlënëse prej 260 eurosh në muaj, dhe blerjes së dronëve me vlerë 80 mijë euro, administrata lokale ka prezantuar investimin e radhës, blerjen e automjeteve "buggy" me vlerë 40 mijë euro. Ose thënë më thjesht mjetet të hapura që përdoren në fusha golfi apo resorte të mëdha për transport qytetarësh.
Sipas planeve të institucionit, këto mjete do të shërbejnë për transportin e qytetarëve nga fillimi i Lungomares deri tek Rrapi. Për këtë shërbim, pasagjerët do të duhet të paguajnë një biletë prej 1 euroje, ndërsa bashkia, përmes një analize financiare, parashikon të ardhura prej plot 800 eurosh në ditë nga kjo xhiro turistike. Ky projekt "vizionar" vjen në një kohë kur transporti publik urban në qytet ndodhet në prag të kolapsit dhe operatorëve aktualë u skadojnë kontratat vitin e ardhshëm, pa asnjë zgjidhje konkrete në horizont. Ndërkohë që shërbimi bazë për qytetarët sabotohet dita-ditës, administrata preferon të investojë në logjistikë zbavitëse.

Ironia e kësaj strategjie investimesh thellohet edhe më tej kur sheh bilancet zyrtare, ku pothuajse çdo institucion nën ombrellën e Bashkisë Vlorë rezulton me humbje financiare. Megjithatë, kjo performancë negative sipas drejtuesve të bashkisë duket se do përmirësohet me xhirot që do bëjnë turistët me këto mjete. Pra, paratë e taksapaguesve po shndërrohen në projekte luksi që nuk prekin asnjë prej halleve reale të komunitetit.
Pra, për bashkinë Vlorë më e drejtë është që turisti të shëtis Lungomaren e Vlorës me makina golfi, ndërsa qytetarët të piqen në urbanët e amortizuar.






















