Sociale 23 June 2026, 15:48 Nga VNA

Radhë kamionësh në Portin e Durrësit, kosto shtesë për operatorët dhe rrezik për dëmtim mallrash

Ndaje në Whatsapp

sfvdfvdfvdfv.jpg

Prej gati një jave, pranë Portit të Durrësit janë krijuar radhë të gjata kamionësh me mallra tregtare që presin të hyjnë ose të dalin nga terminali i kontejnerëve.

Operatorë të transportit të mallrave me kamion, të kontaktuar nga Monitor, pohuan se vonesat po shkaktohen nga mungesa e mjeteve të specializuara për përpunimin e kontejnerëve, veçanërisht e pajisjeve “reachstacker”, të cilat përdoren për shkarkimin e kontejnerëve të importit dhe ngarkimin e atyre të eksportit.

Kjo situatë pritet t’u shkaktojë dëme financiare dhe kosto shtesë operatorëve të transportit të mallrave, ku shumë prej tyre importojnë edhe produkte që po mbahen në ambiente frigoriferike.

Nga ana tjetër, Autoriteti Portual i Durrësit (APD) pohoi për Monitor se situata lidhet kryesisht me kufizimet e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë fundjavave, të vendosura në kuadër të masave të sezonit turistik.

Sipas Policisë së Shtetit në zbatim të udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga 19 qershori deri më 15 shtator zbatohen kufizime për qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave me masë mbi 7.5 tonë.

Kufizimet aplikohen të premten nga ora 15:00 deri në 24:00, si dhe gjatë gjithë ditës së shtunë dhe të dielës, me synim lehtësimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë rrugore në akset turistike.

Po ashtu, Autoriteti Portual pohon se terminali disponon mjetet e nevojshme për përpunimin e kontejnerëve dhe se po punohet me kapacitet të plotë. Sipas APD në dispozicion për përpunimin e kontejnerëve janë 8 reachstacker (mjet që përdoret për trajtimin e kontejnerëve).

Situata me radhët e gjata rikthen në vëmendje problemet që ka hasur ndër vite terminali i kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Pas zgjidhjes së njëanshme në vitin 2018 të kontratës koncesionare me kompaninë turke “Container Terminal Durrës”, çështje që në Arbitrazh u fitua nga shteti, duke shmangur faturën e dëmit prej 100 mln euro që u kërkua nga kompania, operimi i terminalit ka kaluar në disa faza administrimi.

Pas ndërprerjes së kësaj kontrate, shërbimi iu dha për 5 vite kompanisë malteze, “Hili Company Limited”, e përfaqësuar në Shqipëri nga “Mariner Adriatic”.

Zbatimi i kontratës me vlerë rreth 35 mln euro shpeshherë u shoqërua me shumë shqetësime të operatorëve të linjave detare për mosfunksionimin e infrastrukturës dhe kostos shtesë që duhej të paguanin nga këto probleme.

Në vitin 2023, terminali u përball me një situatë të ngjashme, kur për gati një muaj fundi i muajit Maj deri në fund të muajit Qershor, anijet e transportit të kontejnerëve pritën me ditë të tëra në radhë për shkarkimin e mallrave.

Në atë periudhë, operatorët e linjave detare ngritën shqetësime për mungesën e pajisjeve dhe mosfunksionimin e mjeteve të ngarkim-shkarkimit.

Në atë periudhë, operatorët njëzëri pohuan se shkaku kryesor i kësaj situate kritike është mungesa e mjeteve pas dhënies së këtij shërbimi kompanisë malteze, “Mariner Adriatic”.

Pesë kompani të transportit detar – CMA CGM Albania, Mediterranean Shipping Company Albania, Stacon Shipping Al, Hub Adriatic dhe Stella Mare, i drejtuan më 25 maj 2023 një letër Kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Portual të Durrësit, ku kërkonin ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e situatës.

Që prej vitit 2024, shërbimi i përpunimit të kontejnerëve në Portin e Durrësit administrohet drejtpërdrejt nga Autoriteti Portual i Durrësit./Monitor.al/

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme