
Kur Elisa Spiropali zgjodhi Anna Ahmatovën për të folur për gurët që i hedhin të tjerët dhe për kullat që ngrihen prej tyre, shumëkush e lexoi si një përpjekje për të veshur me poezi ankthin e pushtetit. Tani, Lea Ypi ka zgjedhur Bertolt Brecht-in dhe poezinë e tij “In Praise of the Revolutionary”, ku revolucionari përballet me padrejtësinë, pyet pronën për origjinën e saj dhe nuk pranon të heshtë përballë shtypjes. Poezi të bukura, autorë të mëdhenj dhe nëntekste që nuk kalojnë pa u vënë re.
Ironia është se të dyja, secila në mënyrën e vet, kanë qenë për vite me radhë ndër të preferuarat e oborrit të Edi Ramës. Njëra në zemër të pushtetit, tjetra në rrethin intelektual që e ka admiruar, mbështetur apo justifikuar gjatë. Dhe tani, kur koha duket se ka ndryshuar, të dyja duket se kanë gjetur strehë te poezia. Jo te deklaratat e drejtpërdrejta, jo te emrat konkretë, por te metaforat dhe vargjet.
Ndoshta sepse poezia ka një avantazh të madh: të lejon të thuash shumë pa marrë përsipër asgjë. Mund të flasësh për revolucionarët e Brecht-it, për padrejtësitë dhe shtypjen, mund të citosh Ahmatovën për gurët që të hedhin të tjerët, por pa pasur nevojë të tregosh me gisht se kush e ndërtoi këtë sistem dhe kush e ushqeu atë për vite me radhë. Është një lloj disidence komode, ku revoltën e bën poeti dhe jo ti.
Në fund, Brechti do ta kishte vlerësuar ndershmërinë e revolucionarit të tij, ndërsa Ahmatova guximin për të përballuar kohën. Por ndoshta do të habiteshin po të shihnin se në Shqipëri, disa nga ish-të preferuarat e oborrit të pushtetit kanë gjetur një formulë edhe më elegante: t’i bëjnë opozitë mbretit me vargjet e të tjerëve, duke u kujdesur që emri i mbretit të mos përmendet kurrë. Sepse kur nuk ta lejon ndërgjegjja të heshtë, por nuk ta lejon as zakoni të përballesh me pushtetin, poezia mbetet streha më e rehatshme.






















