
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar mbështetjen e plotë ndaj pesë kërkesave të paraqitura nga protestuesit në tubimin e zhvilluar një ditë më parë.
Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se mbështetja ndaj kërkesave të qytetarëve përbën një nga arsyet kryesore të angazhimit të PD në këtë kauzë, duke nënvizuar se pjesëmarrja e anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së është bazuar në frymën qytetare dhe jo në simbole politike.
Ai garantoi protestuesit se kërkesat e tyre do të trajtohen me seriozitet maksimal, si në aktivitetin politik brenda vendit, ashtu edhe në kontaktet dhe angazhimet ndërkombëtare të opozitës.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së kërkoi që Kuvendi të ndërpresë çdo aktivitet tjetër dhe të fokusohet në shqyrtimin e kërkesave që, sipas tij, përfaqësojnë shqetësimet e drejta të rinisë dhe qytetarëve shqiptarë.
Kujtojmë se Grupi Koordinues ka bërë publike platformën politike të lëvizjes, duke deklaruar se kërkesat janë rezultat i propozimeve të qytetarëve gjatë 22 ditëve të mobilizimit.
Sipas deklaratës, protestuesit kërkojnë:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë:
* Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
* Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;
* Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Anulimin dhe shfuqizimin e një sërë ligjesh dhe ndryshimesh ligjore, konkretisht:
* Anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
* Anulimin e ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë Kulturore”;
* Shfuqizimin e “Paketës së Maleve”;
* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
5. Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas Grupit Koordinues duhet të përpilohet pas konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.






















