Marjana Koçeku mund të ketë të drejtë në shumë nga ato që shkruan sot. Mund të ketë të drejtë kur flet për dehjen e pushtetit, për mungesën e debatit, për krizën e legjitimitetit dhe për një sistem që nuk pranon mendimin ndryshe. Por pyetja që ngrihet natyrshëm është një tjetër: si nuk i pa të gjitha këto vetëm një vit më parë, kur pranoi të bëhej deputetja numër një e Partisë Socialiste në Shkodër?
Sepse sistemi për të cilin flet sot nuk lindi dje. Ai ishte po ky. Edi Rama ishte po ky. Partia Socialiste ishte po kjo. Ligjet, mënyra e qeverisjes, mungesa e debatit dhe përqendrimi i pushtetit nuk u shfaqën papritur pas zgjedhjeve. Ato ishin aty edhe kur Marjana Koçeku, mes betimeve për shtatë shenjtorët dhe bekimeve të priftit të fshatit, pranonte të bëhej fytyra e “Rilindjes” në Shkodër.
Nëse sot ajo e ka kuptuar se kishte hyrë në një sistem që nuk e pranonte mendimin ndryshe, pyetja mbetet se çfarë e pengoi ta kuptonte këtë para se të merrte mandatin. Dhe nëse e kishte kuptuar, por besonte se mund ta ndryshonte nga brenda, atëherë ndoshta pendesa e saj politike ka po aq vlerë sa edhe vonesa me të cilën erdhi.
Ironia e historisë është se Marjana e maleve e kaloi gardhin pa kthim vetëm pasi kishte kaluar më parë portën kryesore të pushtetit. Dhe sot, nga e para e listës së Edi Ramës në Shkodër, është kthyer në një nga zërat që i kërkon atij aktin e fundit politik: dorëheqjen.






















