Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po shqyrton mundësinë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen në prill të vitit 2027, disa muaj përpara përfundimit të mandatit aktual, i cili skadon në fund të atij viti.
Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, Meloni vlerëson se një shtyrje e mëtejshme e zgjedhjeve mund të sjellë rënie të mbështetjes për qeverinë e saj. Një tjetër faktor lidhet me nevojën që qeveria e re të ketë kohë të mjaftueshme për miratimin e buxhetit të shtetit brenda afateve ligjore.
Raportohet se kjo mundësi është diskutuar edhe me zyrën e Presidentit Sergio Mattarella, i cili ka kompetencën për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Deri më tani, as zyra e kryeministres dhe as Presidenca nuk kanë komentuar mbi këto raportime.
Presioni ndaj Melonit është rritur pas humbjes së referendumit për reformën në drejtësi në muajin mars, zhvillim që u pasua nga largimi i tre zyrtarëve qeveritarë. Në të njëjtën kohë, partia e ekstremit të djathtë “Futuro Nazionale” ka shënuar rritje në sondazhe, duke kritikuar kryeministren për një qasje më të moderuar politike.
Sipas një mesatareje të sondazheve të publikuara nga AGI dhe Youtrend, koalicioni i qendrës së majtë gëzon 44.6 për qind të mbështetjes, kundrejt 43.8 për qind të koalicionit të qendrës së djathtë të udhëhequr nga Meloni.
Situata ekonomike mbetet një tjetër sfidë për qeverinë italiane. Tensionet gjeopolitike dhe tregtare kanë ndikuar negativisht në ekonomi, ndërsa deficiti buxhetor për vitin 2025 ka rezultuar mbi kufirin prej 3 për qind të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, borxhi publik vijon të mbetet mbi 130 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas Bloomberg, thirrja e zgjedhjeve përpara se këto sfida të përshkallëzohen mund të jetë alternativa më pak e rrezikshme politikisht për Melonin. Një rol të rëndësishëm pritet të luajë edhe reforma zgjedhore që do të diskutohet në Parlament, e cila parashikon një sistem proporcional dhe një bonus mandatesh për koalicionin që siguron mbi 42 për qind të votave.
Më vonë gjatë kësaj vere, qeveria e Melonit pritet të bëhet qeveria më jetëgjatë e Italisë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. /Bloomberg/






















