Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi se suksesi i marrëveshjes kornizë të arritur mes Teheranit dhe Uashingtonit do të varet nga zbatimi i plotë dhe korrekt i angazhimeve të marra nga të dyja palët.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Pezeshkian theksoi se efektiviteti i negociatave do të matet nga respektimi praktik i detyrimeve të dakordësuara, duke shtuar se deklaratat që dalin jashtë tekstit të marrëveshjes nuk kontribuojnë në avancimin e procesit diplomatik.
Deklarata vjen një ditë pas bisedimeve të zhvilluara në Zvicër, ku negociatorët amerikanë dhe iranianë shprehën optimizëm për ecurinë e dialogut. Megjithatë, palët kanë dhënë sinjale të ndryshme lidhur me rikthimin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në objektet bërthamore iraniane.
Ndërkohë, presidenti iranian pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Pakistan, vend që ka luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në kontaktet mes SHBA-së dhe Iranit gjatë muajve të fundit.
Negociatat synojnë arritjen e një zgjidhjeje diplomatike afatgjatë për tensionet mes dy vendeve dhe stabilizimin e situatës në rajon.






















