Të paktën 18 persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e valës ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë Europën, ndërsa temperaturat kanë thyer rekorde historike në disa qytete.
Mes viktimave janë edhe dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja në makinën e familjes pranë banesës së tyre në Carpentras, në juglindje të Francës. Sipas prokurorisë lokale, ekipet e emergjencës nuk arritën t’i rikthenin në jetë.
Temperaturat kanë arritur nivele alarmante në shumë zona të Francës. Në Bordo termometri shënoi 41.9 gradë Celsius, duke thyer rekordin e vendosur gushtin e kaluar, ndërsa në Poitiers temperatura arriti në 41.2 gradë, niveli më i lartë i regjistruar që prej vitit 1947.
Vala e të nxehtit ka detyruar autoritetet franceze të mbyllin ose të ndryshojnë oraret e shkollave, ndërsa Britania e Madhe po përgatitet për temperatura që mund të vendosin rekorde të reja për muajin qershor.
Ndërkohë, në rajonin e Bordosë, tre persona të moshuar, të moshës nga 80 deri në 95 vjeç, humbën jetën gjatë fundjavës për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat e larta.
Autoritetet franceze kanë lëshuar paralajmërime edhe për rrezikun e mbytjeve. Nga e diela në të hënë u raportuan 13 viktima nga mbytja në ujëra, ndërsa shërbimet e sigurisë civile u kanë bërë thirrje qytetarëve të lahen vetëm në zona të mbikëqyrura.
Sipas një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike, Europa po ngrohet më shumë se dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke e bërë kontinentin një nga zonat më të prekura nga ndryshimet klimatike.






















