Situata paraqitet sërish e tensionuar në hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës, ku edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar përplasje mes palëve të përfshira në konfliktin që po pengon vijimin e punimeve.
Rojet e sigurisë nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë MABCO të hyjnë në ambientet e terminalit dhe në zonën e aeroportit për të vazhduar punën. Ndërkohë, kamionët e kompanisë “2A Group” vijojnë të mbajnë të bllokuara hyrjet kryesore të kantierit.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe presidenti i MABCO-s, Emin Pacolli, vëllai i biznesmenit Bexhet Pacolli, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për zhbllokimin e situatës.
Forcat e policisë janë paraqitur në kantier, por sipas deklarimeve në terren, nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për hapjen e hyrjeve, duke argumentuar se janë në pritje të urdhrave dhe procedurave nga organet kompetente.
Për pasojë, të gjitha hyrjet e kantierit vijojnë të mbeten të bllokuara, duke pamundësuar hyrjen e punonjësve dhe zhvillimin normal të punimeve në aeroport. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse autoritetet do të ndërhyjnë për zgjidhjen e konfliktit që po pengon ecurinë e projektit.






















