
Hetimet e nisura nga SPAK duket se nuk mjaftojnë si pengesë që kompanitë e individëve nën hetim apo personave të lidhur me ta të vazhdojnë të përfitojnë fonde publike. Së fundmi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, institucion nën varësinë e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka finalizuar një procedurë prokurimi ku fituese është shpallur një kompani e lidhur me Ermal Beqirin, biznesmenin e shpallur në kërkim nga SPAK për abuzimet me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Procedura e prokurimit kishte si objekt "Mirëmbajtjen dhe vlerësimin e cenueshmërisë (vulnerabiliteteve), si dhe të ekspozimit kundrejt risqeve kibernetike për të dhënat e sistemeve IT", me një fond limit prej 694 milionë lekësh ose rreth 723 mijë eurosh. Qëllimi i këtij tenderi të shpallur nga OSHEE ishte kontraktimi i një operatori ekonomik, i cili për një periudhë 12-mujore do të merrte në ngarkim monitorimin e dobësive në sistemet kompjuterike dhe vlerësimin e rreziqeve që kanosin të dhënat shtetërore nga sulmet kibernetike.

Zhvillimi i kësaj gare ka ngritur dyshime të forta mbi ligjshmërinë dhe konkurrencën e ndershme, për shkak të skemës së përdorur nga operatorët pjesëmarrës. Në procedurë u regjistruan katër kompani, por dy prej tyre nuk paraqitën asnjë ofertë ekonomike, duke krijuar indicie se përfshirja e tyre u bë thjesht formalisht për të plotësuar numrin minimal të parashikuar ligjor të pjesëmarrësve. Mes kompanive që hynë në garë pa paraqitur ofertë financiare ishte pikërisht edhe "Soft & Solution", që është në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri.

Në përfundim të procesit, OSHEE shpalli fituese kompaninë “Communication Progress”, e cila është në pronësi të Gentian Likajt, i identifikuar nga hetuesit si bashkëjetuesi i motrës së Ermal Beqirit. Oferta me të cilën kjo kompani u shpall fituese kapte vlerën e rreth 92% të fondit limit.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Gentian Likaj është një emër i njohur për drejtësinë dhe dyshohet se ka shërbyer si një person i besuar për të vijuar skemën e përfitimit të fondeve publike, në momentin kur kompanitë kryesore të Beqirit ranë nën dritën e kuqe të autoriteteve. Vetëm gjatë viteve të fundit, kompania “Communication Progress” ka përfituar mbi 21 milionë euro përmes procedurave që dyshohet se kanë pasur kritere të paracaktuara.
Për shkak të këtyre transaksioneve të dyshimta dhe lidhjeve të afërta me të përfshirët në mega-skandalin e AKSHI-t, Likaj është përfshirë zyrtarisht në fashikujt e hetimit dhe është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm nën akuzat për korrupsion dhe manipulim të prokurimeve publike.
Megjithatë, statusi i tij si person nën hetim penal, nuk e ka ndaluar OSHEE-n në varësi të ministrit Enea Karakaçi që t'i besojë kompanisë në fjalë sigurinë kibernetike të institucionit dhe një kontratë të re prej 723 mijë eurosh.






















