
Analisti dhe publicisti shqiptar Fatos Lubonja, i cili gjithashtu është një nga protestuesit më aktivë në tubimet kundër qeverisë, ka deklaruar se protestat mund të prodhojnë një realitet të ri politik në vend, duke sjellë në skenë disa parti të reja.
Në një intervistë për mediat, Lubonja u shpreh se lëvizja protestuese, e cila sipas tij është heterogjene dhe e mbështetur nga aktivistë e shoqëria civile, pritet të nxjerrë figura të reja politike.
]“Padyshim që nga kjo protestë do dalin dhe duhet të dalin figura politike. Është protestë heterogjene, ndaj mund të dalin disa parti të reja”, deklaroi ai.
Sipas Lubonjës, qëllimi kryesor i protestave mbetet rrëzimi i qeverisë dhe krijimi i një krize politike që do të çonte në ngritjen e një qeverie teknike, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin. Ai theksoi se partitë tradicionale duhet të vazhdojnë të ekzistojnë, por të garojnë në një sistem me votë të lirë dhe jo të manipuluar.
Analisti ndaloi edhe te roli i drejtësisë, duke kërkuar hetim të plotë për atë që e cilësoi si skemë të pastrimit të parave të krimit të organizuar përmes kullave dhe resorteve turistike.
Sipas tij, të dhënat e publikuara së fundmi nga SPAK ngrenë dyshime serioze për lidhje mes krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë.
“Drejtësia duhet të hetojë deri në fund dhe kjo do të thotë të shkojë deri tek kryeministri, pasi lejet për kullat dhe resortet aprovohen prej tij”, u shpreh Lubonja.
Duke komentuar protestat, ai tha se forca e tyre nuk qëndron te radikalizimi, por te pjesëmarrja masive e qytetarëve. Lubonja paralajmëroi se aktet radikale mund të largojnë qytetarët paqësorë nga protesta.
Ai bëri thirrje për vazhdimin e mobilizimit qytetar dhe shtimin e pjesëmarrjes në protesta.
“Jam që t’u bëjmë thirrje njerëzve të mos ndahen nga sheshi dhe të shtohen vazhdimisht në numër”, deklaroi ai.






















