
Situata në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) është përshkallëzuar në një ngërç të paprecedentë ligjor dhe fizik, duke u shndërruar në një skandal publik ku përplasen dy kompani private, vendimet e Gjykatës së Lartë dhe pafuqia, ose mosveprimi i strukturave të shtetit.
Por përtej përplasjes në terren, pyetja që rëndon më shumë mbi këtë ngjarje është: Pse hesht Edi Rama? Kryeministri, i cili njihet për faktin se monitoron dhe u përgjigjet personalisht komenteve të qytetarëve në rrjetet sociale, madje edhe për çështje krejt periferike, po mban një heshtje shurdhuese për një nga projektet më të trumbetuara të qeverisë së tij. Aeroporti i Vlorës, kartolina kryesore e propagandës qeveritare për turizmin dhe "Shqipërinë 2030", sot është i bllokuar, ndërsa kreu i qeverisë ka zgjedhur të mos shohë.
"Një subjekt privat kontrollon de facto hyrjet"
Për të tretën ditë radhazi, kompania lider e konsorciumit, MABCO Construction (në pronësi të sipërmarrësit Behgjet Pacolli), ka denoncuar një bllokim të plotë fizik të punimeve nga nënkontraktori "2A Group" (në pronësi të Valon Ademit). Sipas deklaratës zyrtare të MABCO-s, mjetet e rënda kanë bllokuar jo vetëm portat e kantierit, por edhe rrugët publike që lidhin Novoselën me zonën e terminalit.
Në deklaratën e saj të dëshpëruar drejtuar medias, MABCO Construction thekson se ky bllokim vjen në shkelje të hapur të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve dhe një vendimi të Gjykatës së Lartë:
"Për të tretën ditë radhazi, përfaqësuesit e MABCO Construction, së bashku me nënkontraktorët, punëtorët, makineritë dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e punimeve, janë paraqitur pranë kantierit të Aeroportit të Vlorës me qëllim vijimin normal të aktivitetit... Edhe sot, hyrjet kryesore të kantierit kanë mbetur të bllokuara nga mjete të identifikuara qartë si pronë e shoqërisë 2A Group."
Kompania ngre alarmit se bllokada po cenon edhe jetën e komunitetit lokal, duke marrë peng hapësirën publike:
"Njëkohësisht, këto bllokime kanë penguar edhe lëvizjen normale të banorëve të zonës, të cilët janë privuar nga përdorimi i lirë i rrugëve... Një subjekt privat po kontrollon de facto hyrjet dhe rrugët e aksesit drejt kantierit, duke penguar jo vetëm zhvillimin e punimeve në një projekt strategjik, por edhe ushtrimin normal të së drejtës së lëvizjes nga qytetarët."
Akuza e fortë e Pacollit: "Policia po mbron paligjshmërinë nën sytë e Prokurorit"
Në një reagim të drejtpërdrejtë dhe me tone mjaft të ashpra, vetë Behgjet Pacolli i është drejtuar zyrtarisht Prokurorit të Rrethit të Vlorës. Pacolli nuk ka kursyer as Policinë e Shtetit, duke e akuzuar atë për bashkëpunim pasiv ose tolerim të këtij krimi mjedisor e procedural.
"Ky është realiteti i hidhur: kamionët e Valon Ademit jo vetëm që kanë bllokuar hyrjen dhe qasjen në arealin e aeroportit, bur kanë uzurpuar edhe rrugën PUBLIKE të fshatit, duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Më skandalozja është se kjo ndodh nën sytë e Policisë së Shtetit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg dhe, në vend që të zbatojë ligjin, po toleron dhe po mbron këtë paligjshmëri të hapur."
Pacolli ka paralajmëruar institucionet e drejtësisë për pasojat e kësaj amullie, duke kërkuar ndërhyrje imediate para se situata të rrëshqasë drejt përplasjeve fizike:
"Çdo ditë ju keni përpara denoncimet tona për dhunën dhe paligjshmërinë që një grup i organizuar ushtron ndaj investitorit dhe ndaj vetë shtetit... Prandaj, ose veproni sipas ligjit, ose dilni dhe deklarohuni qartë: si duhet të veprojmë kur ligji nuk na mbron. Mos pritni përshkallëzim tjetër ju lutem!"
Propaganda përballë realitetit: Pse hesht Edi Rama?
Për vite me radhë, Aeroporti i Vlorës ka qenë "kali i betejës" së kryeministrit Edi Rama. Publiku shqiptar është bombarduar me video 3D, renderinga spektakolarë, postime entuziame në Facebook dhe premtime se ky aeroport do të ngrinte peshë ekonominë e Jugut. Rama ka bërë propagandë me çdo metër kub beton të hedhur aty.
Sot, kur aty nuk po fluturojnë avionët, por po bllokohen rrugët nga kamionët e konflikteve private dhe kur vendimet e Gjykatës së Lartë përfundojnë në koshin e plehrave në rrugët e Novoselës, Kryeministri hesht.
Kjo heshtje ngre hije të mëdha dyshimi:
Si ka mundësi që një kryeministër që gjen kohë të replikojë me protestuesit, të hetojë çdo koment që ata mund të kenë bërë në të shkuarën e që çon ujë tek shtegu i tij me agjentura të huaja, nuk ka asnjë fjalë për një investim strategjik miliona eurosh që po mbahet peng?
Kush fshihet pas guximit të "2A Group" për të sfiduar hapur Policinë, Prokurorinë dhe vendimin e gjykatës më të lartë në vend, në një projekt që monitorohet direkt nga Ministria e Infrastrukturës?
MABCO Construction, në fund të deklaratës së saj, ka prekur pikërisht thelbin e asaj që po ndodh me klimën e investimeve në Shqipëri:
"Nëse edhe një kompani ndërkombëtare, e mbështetur në një vendim të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, nuk arrin të ushtrojë të drejtat e saj... ndërkohë që autoritetet ligjzbatuese nuk ndërhyjnë për të garantuar zbatimin e ligjit... atëherë cili është mekanizmi që garanton ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri?"
Kur shteti kthehet në spektator përballë "fortifikimit" të një kantieri strategjik, faji nuk mbetet më te kompanitë në konflikt, por te zyra kryeministrore që e ka shitur këtë projekt si suksesin e saj më të madh, por sot nuk garanton dot as zbatimin minimal të ligjit.























