Politika 23 June 2026, 20:02 Nga VNA

Kthimi i vendimeve të KPA nga Strasburgu, kush do ta paguajë faturën e paaftësisë?

Ndaje në Whatsapp
Kthimi i vendimeve të KPA nga Strasburgu, kush do ta paguajë

Një javë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor sistemoi në karriket e magjistratëve anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, organit të krijuar si pjesë e reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut. Për vite me radhë, KPA kishte kompetencën e shkallës së fundit, me funksione të ngjashme me ato të Gjykatës Kushtetuese, për të vendosur se cilët gjyqtarë dhe prokurorë meritonin të vazhdonin profesionin dhe cilët duhej të largoheshin.

Me pak fjalë, njerëzit që kishin në dorë fatin profesional, karrierën dhe jetën e kolegëve të tyre, sot janë sistemuar vetë si magjistratë dhe do të punojnë krah për krah me ata mbi të cilët dikur jepnin verdikte të pakthyeshme.

Në këtë mënyrë, Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Ina Rama dhe anëtarë të tjerë të KPA-së, që për vite vendosën mbi karrierat e të tjerëve, tashmë janë bërë pjesë e sistemit që supozohej vetëm ta pastronin. Ironia është se ata vetë nuk iu nënshtruan procesit të vetingut dhe nuk kaluan filtrat që kaluan kolegët e tyre, me të cilët do të ndajnë zyrat dhe statusin e magjistratit.

Dhe pikërisht në ditën kur këta emra u sistemuan në sistem, Strasburgu duket se ka nisur të rrëzojë njëra pas tjetrës vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Arsyetimet e vendimeve të fundit sinjalizojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Thelbi i motivimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhet me moszbatimin e ligjit nga KPA dhe me faktin se subjektet janë vlerësuar kryesisht për kriterin e pasurisë. Kjo lë të kuptohet se mund të kemi përballë një valë rrëzimesh, pasi thelbi i arsyetimit të Strasburgut është se vlerësimi nuk është bërë mbi të tre kriteret e përcaktuara nga ligji.

Anëtarët e KPA-së pothuajse asnjëherë dhe pothuajse për asnjë magjistrat nuk kanë bërë një vlerësim të plotë të kriterit profesional, ndërsa në shumicën e rasteve nuk kanë vlerësuar as kriterin e pastërtisë së figurës. Nuk ka nevojë të hyhet në analizën e rasteve kur vettingun e kalonin subjekte që nuk plotësonin asnjërin prej kritereve.

Tashmë mbetet e shkruar në vendimet e Strasburgut se KPA, pra këta magjistratë të saposistemuar në sistem, ose nuk kanë ditur, ose nuk kanë dashur të zbatojnë ligjin, duke vlerësuar për çdo subjekt të tre kriteret që parashikonte reforma.

Dhe tani, Strasburgu po kthen mbrapsht vendimmarrjet e tyre. Çdo vendim që rrëzohet vjen me një faturë. Një faturë që nuk do ta paguajnë ata që kanë firmosur vendimet, as ata që sot janë rehatuar në sistem me statusin e magjistratit. Faturën do ta paguajnë shqiptarët me taksat e tyre.

Edhe ata që kanë merakun e flamingove, meqë ra fjala.

Nga kjo faturë shpëtojnë emigrantët që erdhën, protestuan dhe u larguan. Po aq lehtë duket se do t’i shpëtojë debatit edhe një prej anëtareve të KPA-së, Rezarta Gaba-Schuetz. Edhe ajo erdhi nga jashtë për të “pastruar” sistemin, gëzoi pagat shumëmilionëshe të reformës dhe u kthye sërish jashtë për ta shijuar Shqipërinë nga larg.

Ndërsa shqiptarëve që mbetën këtu u takon të paguajnë faturën. Sepse në Shqipëri, përgjegjësia duket se ka mbetur pa autor. Ata që gabojnë sistemohen në poste të reja, ndërsa ata që paguajnë janë gjithmonë të njëjtët: taksapaguesit. Reforma që premtoi përgjegjësi individuale rrezikon të lërë pas vetëm një përgjegjësi kolektive: faturën.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme