
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2027.
Kjo emergjencë ishte shpallur për herë të parë me urdhër ekzekutiv më 2001, por sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, të publikuar në Regjistrin Federal më 24 qershor, ajo do të zgjatet edhe përtej 26 qershorit të këtij viti për shkak të gjendjes në Ballkanin Perëndimor.
Në njoftim thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe gjendja e tanishme në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Emergjenca kombëtare për Ballkanin Perëndimor shërben si baza ligjore që i lejon administratës amerikane të vendosë sanksione, të ngrijë asete dhe të ndërmarrë masa të tjera kufizuese ndaj individëve dhe subjekteve që konsiderohen se minojnë paqen, stabilitetin, proceset demokratike apo përfshihen në korrupsion të rëndë në rajon.
Vendimi i Trump nuk përbën një masë të re, por vazhdon një regjim sanksionesh që është rinovuar çdo vit nga presidentët amerikanë që prej vitit 2001. Në vitin 2021, administrata e Joe Biden e zgjeroi më tej fushën e zbatimit të këtij urdhri ekzekutiv duke përfshirë edhe korrupsionin e rëndë, minimin e institucioneve demokratike dhe veprimet që cenojnë sundimin e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër mbeten në fuqi edhe përcaktimet e mëparshme të Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj personave të shpallur “non grata”. Pavarësisht zhvillimeve të fundit që lidhen me lëshimin e vizës për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, ish-kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij vijojnë të figurojnë në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit si persona të shpallur “non grata”, një përcaktim që deri më tani nuk është shfuqizuar nga autoritetet amerikane.






















