Pas përplasjeve të regjistruara paraditen para Kuvendit, protesta e 31-të qytetare vijoi në mbrëmje me grumbullimin e protestuesve në sheshin “Skënderbej” dhe marshimin drejt Kryeministrisë.
Gjatë tubimit u mbajtën fjalime nga organizatorë dhe pjesëmarrës, të cilët përsëritën kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë. Mjeku Ilir Allkja akuzoi qeverinë për mosmbajtjen e premtimeve në shëndetësi, arsim, infrastrukturë dhe ekonomi, duke kërkuar largimin e kryeministrit.
Një minutë heshtje u mbajt në nderim të viktimave të aksidentit të rëndë në autostradën Tiranë-Durrës. Gjatë fjalës së saj, aktivistja Luciana Kokaj lidhi ngjarjen me angazhimin e Policisë në menaxhimin e protestave dhe në Rrjoll, duke kritikuar veprimet e saj.
Një nga organizatorët, Arben Kola, deklaroi se deri më tani protestat janë zhvilluar në mënyrë paqësore, por shtoi se nga ky moment grupi organizues nuk do të mbajë përgjegjësi për veprimet e protestuesve, duke iu referuar tensioneve të shfaqura gjatë ditës.
Gjatë protestës u regjistrua edhe një incident, kur një grua u largua nga një grup protestuesish pasi u akuzua prej tyre se po filmonte për qëllime politike. Ajo deklaroi se ishte gazetare në Greqi.
Protesta u mbyll me një marshim në rrugët e Tiranës. Organizatorët njoftuan gjithashtu se nesër, në orën 10:00, do të depozitojnë në SPAK një kallëzim penal në lidhje me çështjen “Albanian Files”.






















