Bordi i Paqes ka njoftuar të martën mbërritjen e automjeteve të para “taktike” në bazën e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Rripin e Gazës, ndërsa vijojnë përgatitjet për dislokimin e një force shumëkombëshe.
Në një postim në platformën X, thuhet se “automjete taktike kanë mbërritur në Zonën e Mbështetjes Logjistike: Endurance”, ndërsa njoftimi është shoqëruar edhe me fotografi që dokumentojnë ardhjen e tyre.
Ndërkohë, në të njëjtën ditë, një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Kajro për bisedime me zyrtarë egjiptianë dhe ndërmjetës ndërkombëtarë, me fokus zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Bordi i Paqes është krijuar në janar me nismën e presidentit amerikan Donald Trump, si pjesë e përpjekjeve për një zgjidhje paqësore në rajon. Takimi i parë i tij u zhvillua më 19 shkurt në Institutin e Paqes të SHBA-së në Washington.
Nisma lidhet me fazën e dytë të planit me 20 pika të Trump për përfundimin e konfliktit në Gaza, i cili mbështetet edhe nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e nëntorit të kaluar.
Sipas planit, faza e parë përfshinte armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve, si dhe tërheqje graduale të Izraelit nga territori. Megjithatë, sipas raportimeve, armëpushimi është shkelur në mënyrë të përsëritur.
Faza e dytë parashikon tërheqje të mëtejshme të forcave izraelite dhe krijimin e një force ndërkombëtare stabilizimi, e cila do të merret me sigurinë dhe lehtësimin e ndihmave humanitare dhe rindërtimit.
Lufta në Gaza, e nisur në tetor 2023, ka shkaktuar mbi 73,000 viktima palestineze dhe mbi 173,000 të plagosur, sipas të dhënave të autoriteteve lokale.






















