Editorial 6 November 2026, 14:44 Nga VNA

Nga “kolegët” e Veliajt te “miqtë” e Gjebreas, SPAK-u si klub miqsh

Ndaje në Whatsapp
Nga “kolegët” e Veliajt te “miqtë” e Gjebreas,

Moderatori dhe këngëtari i njohur Ardit Gjebrea u shfaq këtë të premte në dyert e SPAK. Jo për të prezantuar ndonjë festival, por për t'iu përgjigjur pyetjeve të hetuesve të BKH-së në kuadër të hetimeve për çështjen e Erion Veliajt.

Mësohet se Gjebrea është pyetur për financimet që kompania e tij, “Jon Music”, ka përfituar nga Bashkia e Tiranës për organizimin e festivalit “Kënga Magjike”.

Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte dalja e tij nga SPAK. Me buzëqeshjen vesh më vesh, Gjebrea dukej sikur sapo kishte përfunduar një tjetër edicion të suksesshëm të “Këngës Magjike”, dhe jo një seancë pyetjesh përpara hetuesve.

Madje, për Gjebrean, takimi me prokurorët duket se kishte shkuar aq mirë, sa nuk kishte mbetur pa u bërë edhe një ftesë televizive. Nga zyra e hetuesve, biseda kishte përfunduar te studioja e “E dielës shqiptare”.

“Ishin miqësorë. Edhe unë e ftova në programin tim. Meqenëse ‘E diela shqiptare’ ka një rubrikë njerëzore, pse jo. Më ftuan, i ftova. U solla pak si amator”, u shpreh ai duke qeshur.

Me pak fjalë, SPAK-u e ftoi për ta pyetur, ndërsa Gjebrea i ftoi prokurorët për t'i pasur në televizor. Një shkëmbim ftesash që zor se e has çdo ditë në dyert e një prokurorie.

Por kjo atmosferë miqësore na kujtoi një tjetër personazh që dikur dilte nga SPAK me të njëjtën qetësi dhe konsideratë për prokurorët: Erion Veliajn.

Edhe kryebashkiaku i Tiranës, në përballjen e tij të parë me drejtësinë e posaçme, i trajtoi prokurorët me një familjaritet të admirueshëm. Madje, shkoi aq larg sa i quajti “kolegë”.

Më pas, historia mori një tjetër rrjedhë. Pas arrestimit, “kolegët” e dikurshëm u kthyen në objektin e akuzave të forta të Veliajt.

Sigurisht, Gjebrea është paraqitur si person që ka dijeni për çështjen dhe jo si i akuzuar. Por përtej statusit procedural, kontrasti mes seriozitetit të institucionit dhe atmosferës festive të deklaratave të tij nuk mund të kalonte pa u vënë re.

Në fund, mbetet për t'u parë nëse prokurorët do ta pranojnë ftesën për në “E dielën shqiptare”. Sepse, për një ditë, duket se në SPAK nuk u diskutua vetëm për “Këngën Magjike”, por u hodh edhe ideja e një rubrike të re televizive.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme