Politika 6 November 2026, 15:33 Nga VNA

Me Ramën nuk ka zgjedhje të lira, por ka tryezë negociatash: PD konfirmon pjesëmarrjen në Komisionin e Reformës Zgjedhore 

Ndaje në Whatsapp

Me Ramën nuk ka zgjedhje të lira, por ka tryezë negociatash: PD

Partia Demokratike ka vendosur të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke pranuar të ulet në tryezën e diskutimeve pavarësisht klimës së rënduar politike, protestave dhe kaosit që ka kapluar vendin. 

Nëpërmjet një deklarate për mediat, bashkëkryetari i komisionit nga radhët e opozitës, Oerd Bylykbashi, konfirmoi angazhimin e PD-së për të paraqitur propozime konkrete, ndërsa vuri theksin te domosdoshmëria e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Bylykbashi rikujtoi se koha po skadon me shpejtësi, pasi “Komisioni për Reformën Zgjedhore, i ngritur një vit më parë, ka hyrë në muajin e fundit të mandatit të tij”.

 Sipas tij, fokusi i vetëm i kësaj tryeze duhet të jetë eliminimi i pabarazisë në garë. “Prioriteti absolut për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është zgjidhja e problemit kryesor të evidentuar në raportin e OSBE/ODIHR [...]: garantimi i kushteve të barabarta të konkurrimit zgjedhor”, deklaroi ai.

Për të arritur këtë standard për zgjedhjet e 9 majit 2027, opozita kërkon ndërhyrje kapilare në makinerinë shtetërore. 

Bylykbashi nënvizoi se zgjidhja kërkon “ndarjen reale të shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e abuzimit me pushtetin, burimet shtetërore dhe administratën publike në favor të Partisë Socialiste apo cilësdo parti në pushtet në të ardhmen”, si dhe “ndëshkimin e ashpër dhe efektiv të shkelësve, patronazhistëve dhe kujtdo që kryen krime zgjedhore”.

Përveç mbrojtjes së votës, PD kërkon edhe ndryshimin e rregullave të lojës përmes proporcionalit kombëtar dhe listave të hapura. “Shqipëria ka nevojë për një sistem krejtësisht të ri zgjedhor, ku përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura që u mundësojnë zgjedhësve të vendosin se cilët deputetë do t’i përfaqësojnë”, u shpreh ai.

Pavarësisht gatishmërisë së opozitës për të paraqitur amendamente, Bylykbashi hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës për dëmtim të qëllimshëm të konsensusit.

 “Në frymë krejtësisht të kundërt, Partia Socialiste deri më sot ka trajtuar çështje që nuk burojnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe nuk përbëjnë përparësi”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se “kjo qasje e mazhorancës ndjek të njëjtën linjë veprimi që çoi në dështimin e qëllimshëm të Komisionit për Reformën Territoriale, për t’i hapur rrugë ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor”.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme