Ftesa e Sali Berishës për bashkimin e opozitës ka marrë një përgjigje që vështirë se e kishte në plan kryetari i Partisë Demokratike. Adriatik Lapaj, Agron Shehaj dhe Arlind Qori, të tre të ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj një bashkimi politik nën drejtimin e Berishës, ndonëse me qëndrime dhe argumente të ndryshme.
Adriatik Lapaj kërkoi që Sali Berisha dhe Edi Rama të largohen së bashku nga skena politike, por bëri një dallim mes kryetarit të PD-së dhe votuesve demokratë.
“Rama dhe Berisha duhet të tërhiqen nga skena politike, nuk kanë çfarë t’i japin Shqipërisë sot. Por nuk vendos dot shenjë barazimi mes Berishës dhe demokratëve”, deklaroi Lapaj.
Ai propozoi që zgjedhjet vendore të 9 majit të shërbejnë si mundësi për të nxjerrë kandidatë nga protestat, studentët dhe partitë e reja, duke theksuar se bashkimi nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht marrëveshje mes kryetarëve të partive.
“Nuk e kam të bashkohemi ne të tre”, sqaroi ai, duke argumentuar se qytetarët duhet të kenë mundësi të përfaqësohen në mënyrë demokratike.
Agron Shehaj ishte kategorik në refuzimin e një koalicioni me Berishën. Kryetari i Partisë Mundësia deklaroi se një bashkim i tillë nuk e afron fitoren ndaj Edi Ramës, por e largon atë.
Shehaj kujtoi se kishte refuzuar edhe ftesën e Berishës për koalicion në zgjedhjet e vitit 2025.
“Kur na ftoi Berisha për të bërë koalicion në vitin 2025, nuk i thamë jo se nuk ishim mjaftueshëm atdhetarë, jo se kishim ndonjë ego. Por shumë thjesht nuk e pamë të arsyeshme dhe shyqyr Zotit nuk e bëmë një gjë të tillë”, deklaroi ai.
Më i ashpër në gjuhë ishte Arlind Qori, i cili jo vetëm përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me Berishën, por e cilësoi atë si “sivëllain” politik të Edi Ramës.
“Edi Rama është pushtetari më i keq, por Berisha është sivëllau i tij. Berisha ka edhe një dozë të parrëfyeshme pafytyrësie”, deklaroi kreu i Lëvizjes Bashkë.
Qori akuzoi Ramën dhe Berishën se ndajnë interesa të përbashkëta me oligarkë dhe ndërtues, ndërsa kritikoi kryetarin e PD-së për ftesën për bashkëpunim vetëm pak ditë pasi e kishte sulmuar publikisht.
“Brenda 3-4 ditësh çfarë nuk tha për të më sulmuar mua, në të njëjtën linjë dhe egërsi me Ramën, dhe të bëjë të nesërmen sikur nuk ka ndodhur gjë, të thotë hajde futemi në koalicion”, u shpreh Qori.
Tre përgjigjet tregojnë se thirrja e Berishës për bashkimin e opozitës ka hasur një pengesë të qartë te drejtuesit e partive të reja. Lapaj kërkon një alternativë që përfshin edhe votuesit demokratë, por jo Berishën; Shehaj e sheh koalicionin me të si pengesë për fitoren, ndërsa Qori e konsideron pjesë të të njëjtit sistem politik me Ramën.






















