Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, ka zgjedhur t’i tregojë opozitës si duhet të sillet për të mos penguar integrimin evropian, por nuk ka dhënë një përgjigje konkrete kur është pyetur për një Parlament ku mazhoranca pengon ngritjen e komisioneve hetimore dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për A2 CNN, Hoxha foli për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe objektivin për mbylljen e negociatave në vitin 2027, duke theksuar se qeveria ka përgjegjësinë kryesore për përmbushjen e reformave.
Por kur gazetari e pyeti se sa e pengon këtë proces funksionimi i Parlamentit, ku opozita nuk arrin të ushtrojë instrumentet e kontrollit parlamentar, ministri e zhvendosi përgjigjen te përgjegjësitë e partive të tjera politike.
“Edhe të zgjedhurit e tjerë, edhe partitë e tjera politike, të cilat e duan anëtarësimin e Shqipërisë, kanë përgjegjësinë të ushtrojnë sa më mirë funksionin e tyre demokratik. […] Askush nuk duhet as ta pengojë, as ta marrë peng procesin evropian”, deklaroi Hoxha.
Ministri nuk shpjegoi se si përputhet me standardet evropiane moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca, një prej çështjeve që iu ngritën drejtpërdrejt në intervistë.
Hoxha vlerësoi se Shqipëria ka bërë “një progres të njëmendtë, real dhe të matshëm”, por pranoi se raporti i Komisionit Evropian evidenton edhe punën që mbetet për t’u bërë. Sipas tij, mbyllja e negociatave në vitin 2027 është një objektiv ambicioz, por i realizueshëm.
Në lidhje me Greqinë, e cila do të mbajë presidencën e radhës së BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, ministri shmangu përcaktimin e afateve për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes dy vendeve, përfshirë kufirin detar.
“Nuk do të doja të vendosja artificialisht data për çështje kaq komplekse. Qëllimi ynë është t’i mbyllim sa më shpejt dhe t’i mbyllim ato në mënyrë të suksesshme”, tha ai.
Edhe për Francën, ku zgjedhjet presidenciale mund të sjellin ndryshime në qëndrimin ndaj zgjerimit të BE-së, Hoxha u shpreh se Shqipëria duhet t’i përmbushë detyrimet e saj në mënyrë që kostoja politike e një refuzimi të jetë më e madhe sesa ajo e pranimit.
Kështu, ndërsa për Greqinë dhe Francën ministri foli me kujdes diplomatik, për opozitën shqiptare mesazhi ishte i prerë: të mos pengojë procesin evropian.
Për vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk zbatohen nga mazhoranca, përgjigjja mbeti pezull.






















